Muzikë

The Weeknd thumbon Grammy-t me klipin e ri


Këngëtari i mirënjohur kanadez, The Weeknd, ka publikuar klipin për këngën Save your tears, pjesë e albumit After Hours.

Në klip, Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, shfaqet tërësisht i ndryshuar. Fytyra e tij është e rimodeluar e gjitha për t’i ngjarë dikujt që ka ekzagjeruar me botoksin.

Në një prej këngëve të tij në album, The Weeknd hedh akuza se tashmë të gjitha vajzat duken njësoj. Kjo, për shkak të ndërhyrjeve estetike dhe përdorimit të botoksit.

Por, ajo që bie më shumë në sy, është fakti se klipi duket se është bërë enkas për të thumbuar çmimet Grammy.

Pjesë të klipit zhvillohen në një sallë të madhe me të ftuar ekskluzivë. The Weeknd, përformon para tyre, duke i mahnitur me zërin e tij. Në një çast, ai shfaqet me një trofe në dorë.

Menjëherë, fansat kanë hamendësuar se ky klip është një thumbim që artisti i bën Grammy-ve.

Muajin e shkuar, The Weeknd u la jashtë nominimeve për çmime Grammy. Kjo shkaktoi një reagim të ashpër të artistit. Atij iu bashkua dhe një pjesë e industrisë muzikore, duke akuzuar se Grammy-t kishin bërë një padrejtësi.

“Save your tears” është klipi i gjashtë që artisti realizon nga këngët e albumit “After Hours”. Gjatë 24 orëve të para pas publikimit, klipi ka qenë në vend të parë në tendencë.

“After Hours” ishte një ndër albumet më të shitur të 2020-ës./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore