Lajme

The Weeknd merr certifikimin e pestë “Diamond” dhe thyen një tjetër rekord


Artisti kanadez Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, ka marrë certifikimin e pestë “Diamond”, për këngën e tij “Earned It”, duke u bërë kështu muzikanti i katërt në histori, i cili e arrin këtë sukses të dhënë nga Shoqata e Industrisë Muzikore në SHBA.

Por, edhe më i veçantë, është fakti se me këtë arritje për “Earned It”, ai kthehet në këngëtarin e vetëm, i cili tre certifikime të tilla, i ka prej këngëve nga i njëjti album muzikor.

Në këtë rast, bëhet fjalë për albumin e tij të tretë, Beauty Behind the Madness, nga ku certifikatën e kanë marrë më parë edhe hitet “The Hills” dhe “Can’t Feel my Face”.

Sa i përket dy këngëve të tjera, të cilat e mbartin të njëjtën certifikatë nga kanadezi, bëhet fjalë për këngët “Starboy”, nga albumi me të njëjtin titull dhe për “Blinding Lights”, nga albumi After Hours.

Kjo e fundit, ka qenë edhe kënga, e cila e ka arritur më shpejt këtë certifikim për artistin, i cili aktualisht ndodhet në majat më të larta të industrisë muzikore.

Në renditjen e përgjithshme, ai ka barazuar Drake dhe Post Malone, të cilët po ashtu i kanë nga pesë certifikime Diamond, ndërsa është në ndjekje të Bruno Mars, i cili kryeson me gjashtë të tilla.

Konkretisht, The Weeknd e ka të mundur ta kalojë Mars-in, pasi në pozita shumë të mira për t’u certifikuar si Diamond është edhe hiti “Save Your Tears” dhe e njëjta gjë, mund të ndodhë edhe me “Die for You”, duke parë momentumin shumë të mirë që kënga po kalon në radhitjet botërore, plot gjashtë vjet pas hedhjes së saj në treg.

Certifikimi Diamond është më i larti në industrinë muzikore amerikane, ku në tërësi përllogariten shitjet dhe transmetimet e këngëve në SHBA, të cilat duhet të kalojnë ekuivalentin e 10 milionë shitjeve të një kënge të vetme për t’u nderuar si të tilla.

Çastin e mirë, The Weeknd e ndjek edhe me lëshimin e koncertit të tij të fundit nga turi në Amerikën e Veriut, i cili do të transmetohet nga gjigandi amerikan i transmetimit, HBO.

Teksa, vera e vitit 2023, do të jetë e rezervuar nga turnetë e tij në Evropë dhe Amerikën e Jugut, biletat e të cilëve u shitën që në ditët e para të hedhjes në treg, duke treguar interesin shumë të madh që publiku ka për të parë artistin në koncert.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore