Muzikë

The Weeknd, dhuron 1 milion dollarë për Etiopinë


Këngëtari i muzikës pop, The Weeknd, ka dhuruar 1 milion dollarë amerikanë në ndihmë ushqimore në Etiopi, pas konfliktit të vazhdueshëm në rajonin Tigray.

“Zemra ime thyhet për njerëzit e mi të Etiopisë ndërsa civilët e pafajshëm duke filluar nga fëmijët e vegjël, deri tek të moshuarit po vriten pa kuptim dhe fshatra të tërë po zhvendosen nga frika dhe shkatërrimi,” shkroi ylli i hitit “Blinding lights”, në llogarinë e tij të Instagram-it.

The Weeknd ka thënë se këtë po e bën për t’i motivuar edhe të tjerët të ndihmojnë popullin civil të Etiopisë.

“Do të dhuroj 1 milion dollarë për të siguruar 2 milion vakte përmes Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara dhe për të inkurajuar ata që mund të japin”.

Këngëtari The Weeknd, emri i vërtetë i të cilit është Abel Tesfaye, ka lindur në Kanada nga prindër etiopinë emigrantë, Makkonen dhe Samra Tesfaye.

Në vitin 2020, ai bëri një seri donacionesh të mëdha për shkaqe të ndryshme. Një milion dollarë i dhuroi për lehtësimin e koronavirusit, 500 mijë dollarë të tjera për organizatat që luftojnë pabarazinë racore dhe 300 mijë dollarë për viktimat e shpërthimit të portit në Beirut.

Albumi i tij më i fundit, “After hours”, ka qenë një sukses global.

Kënga kryesore e tij, “Blinding Lights” u bë kënga e parë në histori që kaloi një vit në Top 10-she të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ishte kënga më e madhe e vitit në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore