Lajme

Thaçi: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja e vetme e mbetur


Jusuf Thaçi

Analisti politik, Jusuf Thaçi, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, vlerësoi se ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e vetme e mundshme që ka mbetur për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu mendon ai, pasi është shprehur i zhgënjyer me kryeministrin Albin Kurti, i cili mbrëmë në një paraqitje televizive, deklaroi se Plani Evropian për të cilin është pajtuar me Presidentin e Serbisë, e ka përbrenda edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Thaçi, i cili ka qenë mbështetës i Kurtit që nga fillet e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe e ka parë atë duke rrokullisur vetura të ndërkombëtarëve, duke rrokullisur kamionë me produkte serbe, duke hedhur gaz lot-sjellës, për hir të kauzës së “Zajednicës”, propozoi tri parime për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të udhëhiqemi nga parimi teleologjik që nënkupton se qëllimi që duam ta arrijmë na dikton rrugën, mënyrën, mjetet e aktivitetet që duhet ndërmarrë deri në realizimin e qëllimit. E qëllimi i shqiptarëve është i qartë (qartësohet më shumë edhe në vijim)”.

“Të udhëhiqemi nga shembulli i perëndimit dhe ta krijojmë shtetin-komb (bashkimi i Kosovës me Shqipërinë), sepse tashmë është dëshmuar se shteti-komb është projekti më funksional dhe më i qëndrueshëm në botën moderne”, shtoi ai.

Si parim të tretë, ai e ka përmendur faktin se gjenerata aktuale nuk guxon ta trashëgojë te pasardhësit si të pazgjidhur problemin me Serbinë, sepse “cilatdo qofshin pasojat që duhet të ndodhin për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, ato duhet t’i bartim e t’i vuajmë ne, jo gjeneratat pas nesh”.

Ishte kjo ideja e prezantuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për ripërcaktim kufijsh, apo shkëmbim territoresh, por në vitin 2018, kur u prezantua, çdokush që e përkrahte përulej me mbiemra si tradhtar. Kjo ide u refuzua kategorikisht nga një pjesë komunitetit ndërkombëtar dhe pushtetit aktual, atëherë opozitë.

Në pajtim me tri parimet e sipër-përmendura, ai nënvizoi se zgjidhja e vetme mbetet ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë, i cili sipas tij, do të mund të bëhej përmes dhjetë kushteve dhe hapave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore