Sport

Tetëdhjetë romanistë të riatdhesuar, Bucci i quan “pseudo-fansa”


Ka shkuar në 80 numri i tifozëve romanistë të riatdhesuar nga forcat e policisë shqiptare pasi janë shpallur “njerëz të padëshiruar”.

“Tifozëve të Roma-s që tashmë janë ose po mbërrijnë në Tiranë dhe janë pa biletë ndeshjeje dhe mendoj se janë të shumtë, u them të shkojnë në zonën e tifozëve të rezervuar për ta, që është një park praktikisht i mbyllur që ndodhet në jug të stadiumit”.

Kjo ftesë i drejtohet tifozëve italianë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Ai do të jetë i pranishëm në “Arenën Kombëtare” me shallin e tij kuq e verdhë për të ndjekur finalen e Ligës së Konferencës mes Roma-s dhe Feyenoord-it.

Ndërkohë, diplomati ka përgatitur në ambasadë “një task-forcë që prej dy ditësh punon 24 orë në ditë për të qenë gati për çdo rast dhe për të ofruar ndihmë”.

Ambasadori Bucci kishte një mesazh edhe për ata tifozë romanistë të cilët janë ndaluar nga policia apo edhe janë riatdhesuar tashmë.

“Ata janë pseudo-fansa. E dimë se disa prej tyre u ndaluan pasi tentuan të kalonin perimetrin e sigurisë të vendosur nga policia në qendër. Të tjerëve u janë gjetur thika dhe shkopinj dhe më pas, duke folur si tifoz, them se ky është sport dhe jo betejë”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore