Auto

Tesla thyen pritshmëritë


Kompania e automjeteve elektrike, Tesla, ka arritur dërgesa rekord për tremujorin e parë të vitit duke rrëzuar vlerësimet e Wall Street-it.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se rekordi i ri është pasojë e fitimeve të ardhura prej shitjeve të makinave, Model 3 dhe Model Y, të cilat mundën të kompensonin ndikimin e mungesës globale të pjesëve.

“Ne jemi të inkurajuar nga pritja e fortë e versionit Model Y në Kinë dhe po përparojmë shpejt në kapacitetin e plotë të prodhimit”, është bërë me dije nga kompania në një deklaratë.

Gjithashtu është thënë se versioni i ri Model S dhe Model X janë pritur jashtëzakonisht mirë dhe se Tesla ndodhet në fazat e hershme të prodhimit.

Në fund të vitit të kaluar, fabrika e kompanisë në Shanghai nisi prodhimin e makinës Model Y. Ai përbën tregun kryesor të Tesla-s ku tanimë prodhohet edhe Model 3.

Sipas Reuters, kompania ka dorëzuar në mbarë botën 184 mijë e 800 automjete elektrike gjatë tremujorit të parë. Shifër që doli jashtë parashikimeve dhe që ka tejkaluar edhe rekordin e mëparshëm të tremujorit të fundit prej 180 mijë e 570 automjete.

Deri më tani, Tesla ka arritur të bëhet kompania më e vlerësuar e automjeteve në botë duke lënë pas rivalët e saj të makinave elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore