Auto

Tesla nis programin e përparuar të ndihmës së shoferit


Kompania amerikane e automjeteve elektrike, Tesla, ka prezantuar një mundësi për disa klientë që të abonohen në programin e përparuar të ndihmës së shoferit, të quajtur “Aftësia e plotë e Vetëdrejtimit”.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se abonimi do të mundësohet për 199 dollarë në muaj, në vend të të një pagese prej 10 mijë të tilla paraprakisht.

Më parë, Tesla ka thënë se shërbimi i abonimit do të gjeneronte të ardhura të përsëritura dhe do të zgjeronte bazën e klientëve për tipare me çmim, duke përfshirë ndryshimin e korsisë në autostrada dhe ndihmën e parkimit.

Por prodhuesi ka ripërsëritur se tiparet aktuale “nuk e bëjnë automjetin autonom”, duke shtuar se ato “kërkojnë një shofer plotësisht të vëmendshëm, i cili i ka duart në timon”.

Dhe se “abonimet e aftësive FSD janë aktualisht në dispozicion për automjetet e kualifikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në faqen e saj të internetit, Tesla u ka sugjeruar shoferëve që të kontrollojnë aplikacionin Tesla për azhurnime të disponueshmërisë në rajone të tjera”.

Zachary Kirkhorn, shefi financiar i kompanisë, ka thënë në prill se shërbimi i parapagimit do të gjeneronte të ardhura të përsëritura për kompaninë, megjithëse “mund të ketë një periudhë kohe në të cilën paraja bie për një periudhë të afërt”.

Asokohe, ai ka shtuar gjithashtu se “nëse keni parë numrin e klientëve që nuk blenë FSD paraprakisht ose me qira dhe ndoshta duan të eksperimentojnë me FSD, kjo është një mundësi e shkëlqyer për ta”.

Lidhur me shërbimin e pajtimit, Tesla ka bërë me dije se ai është i disponueshëm në automjete të pajisura me kompjuter të plotë vetë-drejtues 3.0 ose më lart. Dhe u tha klientëve se azhurnimi në hardware-in e ri do të kushtojë 1 mijë e 500 dollarë.

Elon Musk, shefi ekzekutiv i Tesla-s, ka parashikuar në vitin 2019 që makinat robotë pa shoferë njerëzorë do të ishin në dispozicion në disa tregje të SHBA-së në vitin 2020.

Mirëpo, në muajin mars, Tesla i tha një rregullatori të Kalifornisë që mund të mos arrijë teknologji të plotë të vetë-drejtimit deri në fund të këtij viti.

E megjithatë, Tesla e famshme ka provuar software-in e ri gjysmë-autonom për drejtimin në rrugët e qytetit dhe javën e kaluar nxori ​​“FSD Beta v9” për një numër të kufizuar të klientëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore