Biznes

Tesla detyrohet të refuzojë 1.1 miliardë euro subvencione për fabrikën gjermane të baterive


Kompania amerikane, Tesla, është detyruar të refuzojë më shumë se 1.1 miliardë euro subvencione evropiane për fabrikën e planifikuar të baterive pranë Berlin-it.

Kjo ka ardhur pasi vonesat e shkaktuara në projektin kryesor kanë shkelur një kusht kyç të financimit.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, tregon se kompania amerikane kishte aplikuar për paratë përmes një programi të Bashkimit Evropian (BE) të krijuar për të zhvilluar industrinë e baterive në kontinent.

Referuar dokumenteve zyrtare, BE-ja kërkon që çdo vend që merr fondet, të kategorizohet si “shpërndarës i parë industrial” i teknologjisë, çka do të thotë se bateritë nuk mund të prodhohen në një fabrikë tjetër të Tesla-s.

Mirëpo, sfidat ligjore për ndërtimin e fabrikës, e cila do të prodhojë fillimisht makina përpara se të prodhojë bateri, e kanë vonuar hapjen e saj me disa muaj.

Kështu që, kompania ka të ngjarë të fillojë të prodhojë të njëjtat bateri diku tjetër për më shpejt.

Të premten e 26 nëntorit, qeveria gjermane konfirmoi se Tesla nuk po kërkonte më subvencione.

“Tesla po i qëndron ende planeve të saj për fabrikën e baterive”, ka thënë ministria gjermane e ekonomisë, duke shtuar se “subvencionet shtetërore që nuk përdoren nga Tesla, tanimë janë në dispozicion për projekte të tjera”.

Kurse Elon Musk, shefi ekzekutiv i saj, ka shprehur zhgënjimin e tij për përparimin e ngadaltë të fabrikës dhe ka bërë thirrje që burokracia gjermane të përmirësohet.

Gjithashtu punonjësit në uzinë duhet të zgjedhin një këshill pune brenda disa ditësh, duke u dhënë atyre fuqinë për të vonuar ose refuzuar vendimet e menaxhimit.

Ndërkaq, po të premten, një kompani e paraqitur në Kinë ka zbuluar se Tesla planifikon të zgjerojë kapacitetin në fabrikën e saj të makinave në Shanghai, duke e lejuar atë të rrisë numrin e stafit në vend me rreth një të tretën.

Por edhe të rrisë prodhimin në tregun më të madh të makinave elektrike në botë, dallon “Financial Times”.

Tesla pritet të shpenzojë afërsisht 188 milionë dollarë për të rritur kapacitetin në objekt, duke e çuar numrin maksimal të punëtorëve në fabrikë nga 15 mijë në 19 mijë.

Kjo vjen pasi Musk-u ka vendosur një objektiv ambicioz për të prodhuar 20 milionë automjete në vit deri në fund të dekadës.

Dhe nëse ky objektiv do të përmbushet, ai do ta bënte Tesla-n dy herë më të madhe se Volkswagen-i ose Toyota, dy prodhuesit më të mëdhenj të industrisë.

Këtë vit, kompania duket në rrugën e duhur për të prodhuar afro një milion automjete, pavarësisht se shumica e rivalëve të saj kufizojnë prodhimin për shkak të mungesës globale të çipave.

Jo më larg se muajin e kaluar, Musk u ka thënë investitorëve se fabrika e Shanghai-t prodhonte më shumë automjete sesa objekti i saj kryesor në Fremont, Kaliforni.

Ajo prodhon Model 3, të cilin e shet në vend dhe e eksporton në Evropë, si dhe Model Y.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore