Auto

Tesla, bashkë me autoritetet kineze për hetimin e aksidentit


Kompania amerikane e automjeteve elektrike, Tesla, ka njoftuar se do të punojë me autoritetet për të hetuar një aksident automobilistik në Kinë për të cilin policia lokale ka deklaruar se ka shkaktuar vdekjen e një oficeri të policisë dhe plagosjen e një tjetri.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në median sociale kineze të quajtur Weibo dhe në median shtetërore lokale ka qarkulluar një video që tregon një makinë Model X të Tesla-s pranë dy oficerëve të policisë të shtrirë në tokë pas aksidentit.

Autoritetet policore në vend nëpërmjet një postimi kanë treguar se drejtuesi i makinës i përfshirë në aksident është ndaluar, por nuk kanë dhënë shpjegime mbi rrethanat e aksidentit.

Kjo nuk është ngjarja e vetme e llojit të saj ku makinat e Tesla-s përfshihen në aksidente. Gjatë kohëve të fundit makinat e kompanisë, të cilat janë përfshirë nëpër aksidente në Kinë kanë qenë të pranishme edhe në mediat sociale në formë videosh duke u bërë edhe virale.

Rasti më i fundit është ai i një klienti të pakënaqur me makinat e Tesla-s, i cili hipi mbi një nga makinat e kompanisë të gjendura në ngjarjen e njohur automobilistike të Shanghai-t dhe nisi të bërtiste në formë proteste.

Mirëpo, kjo nuk është një shenjë e mirë për prodhuesin amerikan pasi Kina rezulton të jetë tregu i dytë më i madh i makinave elektrike të Tesla-s, madje zë afro 30 për qind të shitjeve të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore