Shqipëria

Tërmeti i 26 nëntorit – 3 vjet pas, me pasoja dhe kujtesë


Ora shënonte 03:54, kur një sizmë rreth 50 sekondëshe me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter, shkundi Shqipërinë qendrore-perëndimore, në një ngjarje që do të shënjohej e rrënjosej në kujtesën kolektive të shqiptarëve, 26 nëntorin e vitit 2019.

Tirana, Durrësi, Lezha, Laçi, Kurbini e mbi të gjitha Thumana, do të vuanin goditjen fizike dhe psikologjike, të një tërmeti që prej dekadash nuk shihej në Shqipëri.

Pas orëve të para të pas-efektshme të lëkundjeve, situata filloi të qartësohej, me jetët e humbura në shtim.

Në bilancin përfundimtar, ishin 51, ato të humbura. Të plagosur, rreth 3 mijë.

Me mijëra ishin edhe shtëpitë dhe pallatet e dëmtuara! Dhjetëra mijëra…

Mbi 14 mijë, për të qenë të saktë. Dëmi në para, shkonte rreth 844 milionë euro.

Të nevojshme për rindërtimin e asaj çfarë u humb, ishin rreth 1.1 miliardë.

Sot, tre vjet pas, pasojat ende janë të dukshme.

Rindërtimi

Me 51 jetë të humbura, përgjegjësia binte e madhe mbi shumë instanca, ndër të cilat institucionale apo private, si ndërtuesit.

Nevoja u pa, që për shumë godina, qofshin përdhese apo shumëkatëshe, të ndërmerrej një plan rikonceptimi.

Zonat më të dëmtuara, ishin pjesë të disa qyteteve, ku shumica periferike.

Në tre vjet, ende ka shenja të dukshme nga tërmeti, por në shumë zona, puna është përmbyllur, për t’i dhënë familjeve të prekura, një çati të ngrohtë për ftohtësinë që tronditja la pas.

Kështu, në Thumanë, lagjja e re është e përfunduar.

Jo të njëjtin fat kaq të hershëm, do ta kenë disa të tjerë në qytete të tjera, ku dimri nuk do t’i gjejë ende në shtëpitë e reja.

Një pjesë e banesave në Laç kanë përfunduar. Po ashtu, edhe në lagjen e re 5 maji në Tiranë. E njëjta gjë ka ndodhur me disa zona në Durrës apo Kavajë.

Por, për shkak të punimeve ende në vazhdim, pritet që me anë të një shorti publik, të caktohen familjet e para, të cilat do të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Një pjesë e mirë e shtëpive përdhese në disa zona ndërkaq, u është dorëzuar familjeve të prekura, të cilat kanë rinisur jetën.

Kujtesa

Tërmeti i 26 nëntorit, nuk mbeti as i vetëm në serën e tragjedive, pasi ai u pasua edhe nga plaga që la pandemia dhe gjurma e saj më e dukshme se tërmeti.

Në mënyrë të njëpasnjëshme, të dy ngjarjet goditën shoqërinë. Njëra, vetëm atë shqiptare, ndërsa tjetra, atë globale.

Gjithsesi, kujtesa e shqiptarëve shkon edhe për ndihmat e marra menjëherë pas tërmetit.

E menjëhershme ishte ndihma nga Kosova, në njerëz, pajisje dhe sigurisht donacione. Ishin 500 mijë euro të alokuara si fond nga Qeveria. Mbi 3.5 milionë euro të tjera, i dhuruan vetë qytetarët e Kosovës.

Nga rajoni, 2 milionë euro i dhuroi edhe Serbia. 100 mijë Maqedonia e Veriut, së bashku me pajisje të ndryshme.

Por, ndihma më e madhe – ajo e cila radikalisht ngjalli shpresën për rimëkëmbje – ishte donacioni prej 1.15 miliardë eurosh, nga radhët e Bashkimit Evropian.

Një ndihmë, e cila u shtri edhe në ekspertizë me programin e rindërtimit, sidomos për shkollat e prekura, ku një pjesë e tyre janë rindërtuar apo rikonstruktuar pikërisht me ndihmën e BE-së.

Dy vjet më pas, Shqipëria është larg gjendjes amorfe në të cilën gjendej 728 ditë më parë.

Përtej faktit se trauma është zbehur, kujtesa ende ruhet e freskët, për një ngjarje domethënëse.

Një ngjarje, e cila ka gjasë të mbetet e rrënjoset thellë në kujtesën historike shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore