Shqipëria

Tërmet i fuqishëm në Bosnjë, shkundet gjithë Ballkani


Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 i shkallës Rihter ka goditur Bosnjë dhe Hercegovinën.

Epiqendra është shënuar 28 kilometra larg qytetit Bileca ndërsa i gjithë Ballkani është shkundur nga luhatjet.

Në Shqipëri, ato janë ndjerë në gjithë territorin e vendit.

Raportime ka pasur edhe nga disa qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Goditja ka qenë aq e fortë, sa fillimisht, banorët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, kanë menduar se epiqendra ka qenë në Shqipëri.

E njëjta gjë sipas raportimeve është paramenduar edhe në Prishtinë dhe në disa pjesë të Kosovës, pasi goditja është ndjerë shumë e fortë.

Ndërkaq, menjëherë pas luhatjes së parë, disa pasgoditje kanë ndjekur në Bosnjë dhe Hercegovinë, me intensitet më të ulët, por sërish të forta.

Një sizmë është raportuar disa minuta më vonë edhe në Serbi, po pa përcaktuar shkallën e sizmës.

Njoftimet paraprake mbi shkallën e goditjes janë konfirmuar edhe nga Qendra Sizmiologjike Euro-Mesdhetare EMSC.

Sipas njoftimeve të fundit nga Ministria e Mbrojtjes shqiptare ndërkohë, në çastet e para të goditjes, nuk janë raportuar dëme, përtej panikut qytetar të shkaktuar.

Në bazë të njoftimit, të gjithë strukturat e mbrojtjes civile janë në monitorim të situatës në të gjithë vendit, për të evidentuar dëme të mundshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore