Lajme

Tentuan të kalonin kufirin Kanada-SHBA, familja nuk i mbijeton të ftohtit ekstrem


Trupat e katër personave, përfshirë një foshnje, janë gjetur në një fushë me dëborë pranë kufirit me SHBA-të, nga policia kanadeze.

Sipas zyrtarëve, grupi vdiq nga ekspozimi i tepër në temperatura ekstremisht të ulëta deri në -35 gradë Celsius.

Trupi i një burri, gruaje, një djali adoleshent dhe një foshnje u gjetën pranë Emerson, Manitoba, të mërkurën e 19 janarit.

Nga të dhënat paraprake, zyrtarët amerikanë raportuan se të vdekurit besohet të jenë një familje nga India, që po përpiqeshin të kalonin në SHBA.

Rreth orës 09:30 me orën lokale (15:30 GMT) të mërkurën, policia kanadeze u njoftua se një ekipi i Doganave dhe Patrullës Kufitare të SHBA-ve kishte arrestuar një grup, i cili kishte kaluar në një pikë të paligjshëm të kufirit.

Pamje nga i ftohti ekstrem në SHBA

Gjatë hetimit të çështjes, një zyrtar amerikan tha se një burrë u zbulua dhe u ndalua me një çantë, brenda së cilës kishte sende që i përkisnin një foshnje, por se me të nuk u gjet asnjë fëmijë.

Kërkimet vijuan në të dy anët e kufirit SHBA-Kanada dhe grupi u zbulua rreth orës 13:30, nëntë deri në 12 metra nga kufiri amerikan.

Ekuipazhet, duke përdorur borëpastruese dhe mjete në të gjithë terrenin, vazhduan të kontrollonin borën e thellë deri në mbrëmjen e së mërkurës.

Autoritetet deklaruan se grupi ishte “i vetmuar në mes të një stuhie” dhe “përballej jo vetëm me motin e ftohtë, por edhe me fusha të pafundme, reshje të dendura dëbore dhe errësirë ​​të plotë”.

Në një deklaratë të enjten, zyrtarët federalë amerikanë në Minnesota njoftuan akuzat për kontrabandë me qenie njerëzore kundër 47-vjeçarit, banor në Florida, Steve Shand.

Pamje nga i ftohti ekstrem në SHBA

Ky i fundit u gjet duke drejtuar një furgon me 15 persona, në një zonë rurale, përgjatë kufirit me ushqime dhe ujë në çizmet e tij.

Dy pasagjerë u zbuluan me të, të cilët, sipas zyrtarëve amerikanë, ishin emigrantë pa dokumente nga India.

Ndërsa po transportoheshin në një stacion patrullimi kufitar, agjentët amerikanë takuan një grup prej pesë shtetasish indianë, të cilët thanë se kishin ecur për 11 orë në këmbë dhe prisnin t’i merrte dikush.

Njëri prej tyre mbante një çantë shpine, ku kishte rroba për fëmijë, lodra dhe ilaçe. Ai tha se e mbante atë për një familje prej katër anëtarësh, por që ata “ishin ndarë natën”.

Bazuar në përshkrimin, trupat e gjetur në Kanada janë identifikuar paraprakisht si familje nga India, thuhet në deklaratën e SHBA-ve.

Ai shton se dy emigrantë të tjerë indianë pësuan lëndime të rënda dhe u dërguan në spital.

Pamje nga i ftohti ekstrem në SHBA

Të ashtuquajturat kalime “të parregullta” nga SHBA në Kanada – kalimet jashtë pikave kufitare zyrtare – u rritën në mënyrë drastike rreth vitit 2017, një fenomen i nxitur nga faktorë të shumtë, duke përfshirë politikat e imigracionit të vendosura nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Kanadaja ndaloi kalimet e tilla në fillim të pandemisë, me zyrtarët që kthenin azilkërkuesit përsëri në SHBA. Ndalimi u hoq në nëntor.

Zyrtarët lokalë në Emerson thonë se është e rrallë të shohësh njerëz që kalojnë nga Kanadaja drejt jugut në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore