Lajme

Tensioni në Ukrainë: SHBA-Rusi mbajnë bisedime ‘të sinqerta’


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, bisedimet në Gjenevë mbi Ukrainën i kanë përshkruar që të dy si “të sinqerta”.

Sipas analistëve, pritet që SHBA-të të vendosin me shkrim qëndrimin e tyre javën e ardhshme, pas së cilës do të zhvillohen diskutime të mëtejshme.

Ekziston frika, sipas tyre, se një forcë e madhe ushtarake ruse e mbledhur pranë kufijve të Ukrainës do të përdoret për ta pushtuar.

SHBA-të dhe aleatët e saj kanë kërcënuar me sanksione të reja, ndërsa vetë Rusia mohon planifikimin e ndonjë sulmi.

Me rreth 100 mijë trupa ruse të dislokuara pranë Ukrainës, presidenti Vladimir Putin i ka kërkuar Perëndimit të mos pranojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Ai dëshiron që aleanca mbrojtëse perëndimore t’i braktisë stërvitjet ushtarake dhe të ndalojë dërgimin e armëve në Evropën Lindore, duke e parë këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.

Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin e Krimesë në Ukrainën Jugore në vitin 2014, pasi ukrainasit rrëzuan presidentin e tyre pro-rus.

Rebelët e mbështetur nga Rusia – pas një lufte të përgjakshme me forcat qeveritare – kontrollojnë gjithashtu zona të mëdha të Ukrainës Lindore pranë kufijve të Rusisë.

Ekziston frika se konflikti i ndezur në lindje, i cili mori 14 mijë jetë dhe bëri që të paktën 2 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, mund të rindizet dhe se ushtria ruse do ta kalojë kufirin.

Blinken paralajmëroi homologun e tij rus për një përgjigje “të bashkuar, të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton.

Duke folur pas bisedimeve, ai tha se SHBA-të ishin të përgatitur të ndiqnin mjetet e mundshme për të adresuar shqetësimet ruse në frymën e reciprocitetit.

Më parë, analistët pretenduan se kjo mund të përfshijë më shumë transparencë në stërvitjet ushtarake në rajon, ose ringjalljen e kufizimeve për raketat në Evropë.

Këto rregulla u përcaktuan më parë në Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, një pakt i kohës së Luftës së Ftohtë që SHBA-të e hoqën në vitin 2019, pasi akuzuan Rusinë për shkeljen e marrëveshjes.

Blinken i kërkoi gjithashtu Rusisë që të ndalojë atë që ai e quajti agresionin e saj ndaj Ukrainës, duke thënë se grumbullimi i trupave i dha asaj aftësinë për të sulmuar Ukrainën nga jugu, lindja dhe veriu.

Ai tha se SHBA-të e dinin nga përvoja se Moska kishte gjithashtu një “libër të gjerë lojërash” të mënyrave joushtarake për të çuar përpara interesat e saj, duke përfshirë sulmet kibernetike.

Blinken shtoi se bisedimet kishin prekur gjithashtu Iranin dhe negociatat mbi aftësitë e tij bërthamore, të cilat ai i quajti një shembull se si SHBA-të dhe Rusia mund të punojnë së bashku për çështjet e sigurisë.

Nga ana e tij, Lavrov i përshkroi bisedimet si të hapura dhe të dobishme, por akuzoi NATO-n se punon kundër Rusisë.

Ai përsëriti qëndrimin e Moskës se ajo “kurrë nuk e kishte kërcënuar popullin ukrainas” dhe nuk kishte plane për të sulmuar Ukrainën.

Gjithashtu akuzoi qeverinë ukrainase për përdorimin e “terrorizmit shtetëror” kundër rebelëve në lindje dhe “sabotoi” marrëveshjet e paqes të Minsk-ut për konfliktin atje.

Ministri i Jashtëm i Rusisë tha se SHBA-të do të dërgonin “përgjigje me shkrim” për të gjitha propozimet e Rusisë javën e ardhshme, por Blinken tha vetëm se Amerika shpresonte të ndajë “shqetësimet dhe idetë e saj në më shumë detaje me shkrim javën e ardhshme”.

Bisedimet midis dy diplomatëve erdhën vetëm një ditë, pasi Rusia zbuloi planet për stërvitjet detare që përfshijnë më shumë se 140 anije luftarake dhe më shumë se 60 avionë, të parë si një shfaqje fuqie.

Gjithashtu të enjten, SHBA-të thanë se oficerët e inteligjencës ruse kishin rekrutuar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të qeverisë ukrainase për të ndërhyrë si një qeveri e përkohshme dhe për të bashkëpunuar me një forcë pushtuese ruse në rast të një pushtimi.

Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj dy anëtarëve aktualë të parlamentit ukrainas dhe dy ish-zyrtarëve të qeverisë të akuzuar si pjesë e komplotit.

Disa vende evropiane kanë lëvizur tani për të forcuar vendosjen ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore.

Spanja po dërgon anije luftarake për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s në Mesdhe dhe Detin e Zi, dhe Danimarka gjithashtu tha se do të dërgonte një fregatë në Detin Baltik.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ofruar dërgimin e trupave në Rumani.

Më herët, këtë javë, Britania njoftoi se po furnizonte Ukrainën me trupa shtesë për stërvitje dhe armë mbrojtëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore