Sport

Tensioni arrin kulmin, Mbappe nuk e dëshiron Neymar-in te PSG


Marrëdhënia e Kylian Mbappe me shokun e skuadrës së PSG-së, Neymar, tani është në nivelin më të ulët historik, sipas raportimeve në Francë.

Tensionet mes dyshes janë përkeqësuar që kur PSG e bëri Mbappe lojtarin më të paguar në futbollin botëror me një kontratë të re trevjeçare këtë verë.

Botimi francez “L’Equipe”, pohon se marrëdhënia e tyre ka “kaluar nga ftohtë në polare” këtë sezon.

Pretendohet se Mbappe nuk e do më Neymar-in në skuadrën e PSG-së, ndërsa braziliani “ka mbetur i habitur nga ndikimi” që i është dhënë sulmuesit francez që nga nënshkrimi i marrëveshjes së re në “Parc des Princes”.

Raporti pretendon se Mbappe nuk do të kishte kundërshtuar shitjen e Neymar në afatin kalimtar të verës, pasi drejtori sportiv de-facto i PSG-së, Luis Campos, u përpoq të riformonte skuadrën.

Pavarësisht raporteve që e lidhin Neymar me një largim gjatë verës nga PSG, 30-vjeçari, i cili ka qenë me klubin francez që nga viti 2017, mbeti edhe për një sezon tjetër.

Ai tani thuhet se është i bindur se Mbappe u përpoq të bindte PSG-në që ta shiste atë në merkaton e verës. Më herët këtë sezon, tensionet mes dyshes vluan për një penallti në një ndeshje kundër Montpellier në gusht.

Mbappe kishte humbur një penallti më herët në atë ndeshje, kur PSG-së iu akordua një goditje e dytë nga pika e bardhë e 11 metërshit. Neymar dukej se refuzoi të lejonte Mbappe të ekzekutonte penalltinë e dytë.

Gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, asnjë nga lojtarët nuk iu drejtua drejtpërdrejt raporteve për përçarjen e tyre në dhomën e zhveshjes.

Pas miqësores së Brazilit kundër Ganës në Le Havre, Neymar refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me Mbappe, duke u larguar nga zona e intervistës.

Mbappe, ndërkohë, sugjeroi se është më i lumtur duke luajtur për kombëtaren e tij sesa me PSG dhe Neymar.

Marrëdhënia mes Mbappe dhe Neymar është përkeqësuar në atë masë sa Lionel Messi është detyruar të veprojë si ndërmjetës mes dyshes për të mbajtur sezonin e PSG-së në rrugën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore