Lajme

Tensionet në Veri, policia vendos pika kontrolli në magjistralen Mitrovicë–Leposaviq


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur disa pika kontrolli në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, siç kanë thënë “me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Në rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, Policia e Kosovës ka vendosur pika kontrolli të automjeteve për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

“Menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në vend vazhdon të jetë prioritet kryesor i Policisë së Kosovës dhe përpjekje maksimale janë duke u bërë për tejkalimin e situatës tanimë disa ditë të tensionuar në veri të Mitrovicës”.

Sipas njoftimit, në funksion të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore Policia ka paraparë planifikime adekuate-operacionale në angazhimin e personelit dhe kapaciteteve të saj në mënyrë sa më racionale në arritjen e objektivave të ligjshme në gjithë vendin me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

Po ashtu theksohet se organet e rendit, konkretisht zyrtaret policorë janë të përkushtuar për të ruajtur rendin dhe garantuar sigurinë e përgjithshme në gjithë vendin dhe varësisht prej nevojave të ndërmarrin veprime të nevojshme në teren në funksion të garantimit të ligjshmërisë.

Ndryshe, nga 10 dhjetori serbët në Veri të Kosovës po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.

Ndonëse barrikadimi i serbëve ka hyrë në ditën e 12 të tij, zgjidhja e këtij ngërçi nuk duket në sfond.

Janë afër 10 barrikada që pamundësojnë kalimin në pjesë të ndryshme.

Për këtë arsye, janë mbyllur edhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës, përmes kryeministrit, Albin Kurti, kishte njoftuar se po pret nga KFOR-i që të bëjë heqjen e barrikadave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore