Kosova

“Tensionet janë të larta, duhet prezencë e shtuar e BE’së dhe NATO’s në Ballkan” – intervistë e Albanian Post me Mate Graniç


Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Mate Graniç, tani këshilltar special i kryeministri të Kroacisë, Andrej Plenkoviç

“Tensionet janë të larta”, thotë Mate Graniç, aktualisht këshilltar special i kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Ai është një nga politikanët e pakët në Ballkan që me kalimin e viteve nuk i ka rënë pesha politike. Një diplomat i rryer kroat që kishte rol kyç në arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, Graniç ishte krucial edhe në Marrëveshjen në mes të Kroacisë e Serbisë të arritur në Beograd me 23 gusht të vitit 1996.

Ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë nga viti 1993 deri në vitin 2000 dhe një nga njerëzit me të afërt me ish-presidentin kroat, Franjo Tudjman, Graniç në këtë intervistë për Albanian Post i ka bërë një ekzaminim situatës politike në Ballkan dhe potencialitetit të konflikteve që rrënjë kanë në shekullin e kaluar.

“Lufta e Kosovës për pavarësi ishte luftë e drejtë”, thotë Graniç, derisa shton se “shumë më e rëndësishme se blerja e armëve kineze nga Serbia është fakti se ky shtet ende nuk është vendosur në rrugën evropiane”.

Për retorikën e luftës të presidenti, Aleksandër Vuçiç e politikanë të tjerë serbë, Graniç, pohon se është më shumë fjalor populist për konsum të brendshëm sesa ide reale e udhëheqësisë serbe.

Edhe deklarimin e Vuçiç-it se “ka një komplot të koordinuar mes Prishtinës, Zagrebit dhe një pjese të Podgoricës për ta futur Serbinë në kurth” e sheh me të njëjtën sitë – thjesht “një deklaratë para-zgjedhore”.

Megjithatë, Graniç i njeh tensionet e kohëve të fundit, shtuar shumë edhe me luftën në Ukrainë, prandaj deklaron prerazi se “Bashkimi Evropian duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për arritjen e një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës, dhe vetë lidershipi i BE-së, posaçërisht Gjermania dhe Franca, duhet të përfshihen në bisedime”.

 

Kjo është intervista e plotë e Mate Graniç dhënë për Albanian Post:

Mate Granic

Albanian Post: Si e vlerësoni në përgjithësi gjendjen e sigurisë në Ballkan tashmë kur thuhet se ka rrezik që përshkallëzohet situata pas agresionit rus në Ukrainë?

Në Ballkanin Perëndimor, më saktësisht në Evropën Juglindore, ka një numër çështjesh të hapura. Idetë separatiste, veçanërisht ato të Millorad Dodik, dhe idetë unitariste, veçanërisht ato të Bakir Izetbegoviç, po forcohen në Bosnje-Hercegovinë. Minimumi i nevojshëm për arritjen e stabilitetit në BeH është të arrihet marrëveshje për një ligj të ri zgjedhor bazuar në Marrëveshjen e Dejtonit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Secili komb në BeH duhet të ketë të drejtën të zgjedhë presidentin e saj në Përfaqësim të BeH-së. Ruajtja shtesë e interesave jetike të secilit popull në BeH duhet të sigurohet përmes Dhomës së Popullit. Serbia duhet përfundimisht të vendosë nëse dëshiron të ndjekë rrugën e integrimeve evropiane dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën, përfshirë çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Stabiliteti i Malit të Zi dhe Kosovës është i rëndësishëm për rajonin si tërësi. Megjithatë, NATO ka prezencë të fortë në rajon. Nuk ka prospekt për konflikte të armatosura dhe nuk janë realiste, por tensionet në rajon ka gjasa të rriten.

Albanian Post: Kosova, Bosnja Hercegovina dhe Mali i Zi përmenden si vendet më të rrezikuara nga konfliktet, a mendoni edhe ju kështu?

Tensionet në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi, janë të larta, veçanërisht në BeH. Ndikimi i Federatës Ruse është fuqishëm prezent në Republika Srpska dhe Mal të Zi. E gjithë kjo tregon që nevojitet prezencë më e madhe e NATO-s dhe BE-së, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Albanian Post: Qeveria e Kosovës po kërkon vazhdimisht që Kosova të anëtarësohet në NATO me hapa të përshpejtuar, a mendoni që mund të ndodh një gjë e tillë, duke e parë situatën në Ukrainë?

Kjo është kërkesë e arsyeshme, veçanërisht në dritën e agresionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës.

Albanian Post: Kosova dhe Serbia ende nuk e kanë arritur një marrëveshje finale, si e shihni ju këtë marrëveshje dhe cili nga këto shtete po bën hapa prapa?

Bashkimi Evropian duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për arritjen e një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës, dhe vetë lidershipi i BE-së, posaçërisht Gjermania dhe Franca, duhet të përfshihen në bisedime.

Albanian Post: Sa është e vështirë të negociohet me Serbinë meqenëse keni qenë edhe kryediplomat i Kroacisë në kohën kur ka qenë lufta në Kosovë?

Të gjitha negociatat për luftë e paqe, për kufij dhe pozitën e minoriteteve, janë të vështira, në veçanti nëse ekziston edhe një trashëgimi e vështirë historike. Sidoqoftë, negociatat janë mënyra e vetme për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në këtë zonë. Për shumë vite, kam qenë kryenegociator i Kroacisë në bisedimet me Serbinë, përfshirë në Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve që u nënshkrua në Beograd më 23 gusht 1996. Me këtë marrëveshje, Kroacia dhe Serbia njohën njëra-tjetrën ndërkombëtarisht për herë të parë në histori.

Albanian Post: Në Hagë po gjykohen për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, si e keni parë këtë proces dhe a konsideroni që lufta e UÇK ishte e pastër?

Lufta e Kosovës për pavarësi ishte luftë e drejtë, dhe nëse ka pasur ose jo krime lufte do të vendoset nga Gjykata Speciale dhe historia.

Albanian Post: Serbia kohëve të fundit ka blerë armatim nga Kina derisa lufta në Ukrainë nuk po ndalet, si po e shihni këtë veprim të Serbisë, a përbën një gjë e tillë kërcënim për sigurinë në Ballkan?

Shumë më e rëndësishme se blerja e armëve kineze është fakti se Serbia ende nuk është vendosur në rrugën evropiane dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Duhet pasur ndërmend se Serbia mbështeti dy rezoluta në OKB kundër agresionit rus në Ukrainë.

Albanian Post: Si e po e shihni procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimit Evropian, a konsideroni që BE-ja po bën hapa të ngadaltë në këtë proces për integrimin e disa shteteve në BE?

Mendoj se BE gabohet në mosmbështetjen e fuqishme për integrimit e tërë Ballkanit Perëndimor në BE. Sigurisht, me të gjitha kushtet. Është veçanërisht e padrejtë nga ana e BE-së që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë marrë datë për fillimin e negociatave [për anëtarësim] në BE. Arsyet për këtë qëndrojnë në dallimet e rëndësishme mes vendeve udhëheqëse të BE-së që kanë për konceptimin e së ardhmes së BE-së.

Albanian Post: Si i komentoni vlerësimet e zotit Vuçiç gjatë fushatës zgjedhore se “ka një komplot të koordinuar mes Prishtinës, Zagrebit dhe një pjese të Podgoricës për ta futur Serbinë në kurth, në konflikt”?

Kjo është një deklaratë para-zgjedhore e Presidentit Vuçiç, kështu që nuk duhet t’i kushtohet shumë rëndësi. Nga qeveria e re serbe pritet një profil i fortë pro-evropian, pavarësisht faktit se shumë dallime dhe çështje të hapura mes Beogradit dhe Zagrebit dhe Beogradit dhe Prishtinës, si dhe Beogradit dhe një ‘pjese të Podgoricës’, do të mbesin. Por, këto çështje duhet të adresohen me këmbëngulje përmes negociatave, dhe mbështetja e BE-së për këto negociata duhet të jetë shumë më e fortë.

Albanian Post: Pra, mendoni se një gjë e tillë ishte vetëm diçka që Vuçiç zakonisht di të thotë për të zgjuar ndjenjat e elektoratit të tij, apo ka ndonjë bazë?

Mendoj se këto deklarata të Presidentit Vuçiç duhet që në rend të parë të kuptohen si pjesë e fushatës elektorale të tij. E vërtetë, ato shpesh e vështirësojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura. Sinqerisht besoj se Presidenti Vuçiç është mirë në dijeni që të gjitha çështjet e hapura mes këtyre vendeve mund të zgjidhen vetëm përmes negociatave. Kjo veçanërisht shihet nga krimet që agresioni rus po kryen mbi Ukrainën dhe reagimet e botës demokratike. Ngjarjet në të ardhmen e afërt do të sjellin përgjigje ndaj kësaj pyetje, shumë shpejtë.

Albanian Post: Një shqiptar pritet të bëhet kryeministër i Malit të Zi – Dritan Abazoviç, a mendoni se është një zgjedhje e mirë?

Kjo është kompetencë ekskluzive e Parlamentit malazez dhe partive parlamentare malazeze, por është një zgjidhje tranzicionale realiste. Republika e Kroacisë dëshiron një Mal të Zi stabil, me orientim evropian dhe anëtare të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore