Shqipëria

Tetë persona të shoqëruar nga policia në përleshjen fizike të shkollës “1 Maji”


Një incident ka ngjarë në orët e vona të mbrëmjes pranë KZAZ nr.30 në kryeqytet. Sipas raportimeve të para dhe të konfirmuara ka pasur përplasje fizike mes tetë personave.

Dy persona janë futur duke gënjyer sikur ishin përfaqësues të KQZ-së. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia për shkak të përmasave që mori përleshja.

Është konfirmuar numri i të shoqëruarve sipas deklaratës së Policisë së Shtetit që janë zhvendosur nga ambientet e shkollës.

Deklarata e Policisë së Shtetit

“Rreth orës 22:45, tek shkolla “1 Maji”, në VNV nr.30, me kërkesë të KZAZ-së, sherbimet e Policisë, me Vendim nr. 262, të KZAZ-së, kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave, pasi kishte një konflikt mes vëzhguesve dhe numëruesit të votave”.

“Sherbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjeherë dhe kanë bërë shoqërimin e 8 personave për veprime të metejshme hetimore”.

E pranishme ka qenë edhe kandidatja për deputete, Orjola Pampuri, e cila ka deklaruar se vëzhguesit e PD-së janë ngacmuar nga këta persona të pautorizuar që kishin hyrë në KZAZ nr.30.

Përplasja është rënduar duke përfunduar deri tek karriget apo sendet rrethanore. Procesi i votimit është ndërprerë që nga mbërritja e Policisë së Shtetit në vendngjarje.

Deklarata e Ilirjan Celibashit

Në ambientet e brendshme të shkollës gjendet edhe Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi, i cili po komunikon me oficerët e policisë dhe Pampurin.

Kryetari i KQZ-së ka deklaruar se për KZAZ Nr.30 në Tiranë, për shkak të incidentit ka shfuqizuar të gjitha autorizimet e vëzhguesve të forcave politike për këtë qendër numërimi.

Kjo, për arsyen që i gjithë incidenti ka ndodhur në pjesën e vëzhguesve. Ai ka paralajmëruar katër orë pushim derisa të zbardhet lista me akreditimet e reja, 13 vëzhgues për 13 subjekte zgjedhore përfshirë dhe kandidatin e pavarur, shtatë vëzhgues me status të këtillë nga OJF-të dhe kandidatët për deputet të zonës.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore