Lajme

Tempulli budist boshatiset pasi murgjit nuk kaluan testet e drogës


Një tempull i vogël budist në Tajlandë ka mbetur pa asnjë murgj pasi të gjithë u pushuan nga puna për dështimin e testeve të drogës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”, duke cituar zyrtarët lokalë.

Katër murgj, përfshirë abatin, rezultuan pozitivë me metamfetaminë në provincën veriore të Phetchabun-it, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Boonlert Thintapthai tha se murgjit u dërguan më pas në një klinikë shëndetësore për t’iu nënshtruar rehabilitimit nga droga.

Bastisja vjen në mes të një fushate kombëtare për të luftuar trafikun e drogës.

Pasi katër murgjit dështuan testet e urinës, policia i largoi nga tempulli të hënën.

Zyrtarët nuk thanë se çfarë e kishte sjellë tempullin në vëmendjen e policisë.

Thintapthai i tha AFP-së se “tempulli tani është bosh nga murgjit dhe fshatarët e afërt janë të shqetësuar se nuk mund të bëjnë asnjë bun“.

Bun ose “krijimi i meritave” është një praktikë e rëndësishme budiste ku adhuruesit fitojnë një forcë mbrojtëse përmes veprave të mira – në këtë rast duke u dhënë ushqim ose lëmoshë murgjve.

Zyrtarët rajonalë kishin kërkuar ndihmën e shefit të manastirit lokal, i cili kishte premtuar të caktonte disa murgj të rinj në tempullin në rrethin Bung Sam Phan në një përpjekje për të adresuar shqetësimet e adhuruesve.

Vitet e fundit, metamfetamina është bërë një çështje kryesore në Tajlandë, me konfiskimet e drogës që kanë arritur nivelin më të lartë në vitin 2021, sipas Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore