Aplikacione

Teknologjia dhe Interneti – e Bukura dhe Bisha e kohërave moderne


Debati për teknologjinë dhe mënyrën se si përdoret ajo nga njerëzit, është bërë tashmë pothuajse i përditshëm. Shumica më s’mund ta imagjinojnë vetën pa pajisjet teknologjike, komunikimi duket i pamundur dhe po nuk patëm qasje për vetëm një moment, ngjan sikur koha ndalet.

Në një sondazh online me pyetje të realizuar nga ekipi i Albanian Post, i punuar në Google Docs me 88 pjesëmarrës dhe grup mosha nga gjashtë deri në 81 vjet – përkundër se nuk është mbase mostra më reprezentative  – tregon një tendencë interesante.

Nga 88 personat që i janë përgjigjur pyetjeve, janë 60 për qind prej tyre që thonë se mund ta identifikojnë vetën si “të varur nga teknologjia”.

Se teknologjia i ka dy anët e medaljes e tregon më së miri thënia e historianit norvegjez, Christian Lous Lange, i cili thotë se “teknologjia është një shërbëtor i dobishëm, por edhe një padron i rrezikshëm”.

Pikërisht për ta kuptuar më mirë këtë dualitet që prezanton teknologjia është realizuar edhe sondazhi online si një matje e thjesht që tregon orientimet e dyanshme të përdorimit dhe keqpërdorimit të teknologjisë.

Sondazhi kishte në fokus të kuptuarit e varësisë, por edhe matjen e nivelit të vetëdijes për sigurinë kibernetike.

Sipas rezultateve, janë 68.2 për qind e atyre që janë përgjigjur që posa të zgjohen kapin telefonin në dorë dhe thonë që përdorimi i teknologjive të ndryshme u është kthyer në një shprehi.

Përgjigjet tregojnë se platforma që përdorët më së shumti është Instagrami dhe 29.5 për qind e tyre aty kalojnë kohë më shumë krahasuar me platformat e tjera.

Nga këta përdorues të Instagramit 19.3 për qind janë nën moshën 20 vjeçare.

Statistikat tregojnë se 12.5 për qind e atyre që u bën pjesë e sondazhit online përdorin telefonin mesatarisht deri në tri orë në ditë, por ka edhe të tjerë që kalojnë plotë gjashtë orë më telefon para fytyre – çdo ditë.

 

Sipas definicionit, varësia është një gjendje në të cilën bëhesh përdorues i një substance – apo si në rastin tonë i teknologjisë – në një formë që është jashtë kontrollit tënd, paçka se ka pasoja të rrezikshme.

Përkundër se teknologjia nuk është fjalëpërfjalshëm një substancë që na dëmton fizikisht, megjithatë ka efekte të pariparueshme mentale – nëse e përdorim jokontrollueshëm.

Për të matur varshmërinë nga teknologjia, në një nga pyetjet përgjigja është sasiore. Nga një deri në 10 – 10 duke qenë më së shumti i varur dhe një më së paku.

Kjo për arsye se, nëse një person është në dijeni të varësisë së tij, atëherë e ka më të lehtë ta fitojë betejën me varësinë.

Respodentët në sondazhin online tregojnë se janë shumë të vetëdijshëm për varësinë e tyre në raport me teknologjinë.

Mbi 60 për qind e tyre e vlerësojnë vetën si shumë të varur (pra e kanë notuar vetën nga pesë deri në 10). Asnjë nga personat nuk ka zgjedhur shifrat nga një deri në tre.

Disa nga pyetjet kishin të bëjnë jo vetëm me varësinë, por edhe me vetëdijen e përdoruesve për platformat online.

Plotë 56.8 për qind e përgjigjeve ishin se asnjëherë nuk e lexojnë marrëveshjen me kushtet që duhet të pranohen para se të bëhen pjesë e një platforme të caktuar. Pranojnë, pa lexuar fare se në çka po futen dhe sa po dorëzojnë nga privatësia e tyre.

Për ata që nuk e njohin shumë botën e pakufishme të internetit, me siguri nuk e njohin as termin “cookie monster”. “Cookies” apo “biskotat” janë ajo gjëja që na shfaqet në faqet tona kur qarkullojmë nëpër internet. Çfarë bëjnë “cookies” është mbledhja e të dhënave tona që më pas t’ua ofrojë faqeve dhe reklamuesve në internet, që t’u tregojnë se si ne e përdorim internetin dhe si të na sheshin produktet e tyre më lehtë.

Kjo është vetëm një nga format se si teknologjia shkatërron çdo kufi të privatësisë tonë, prandaj në një të ardhme jo shumë të largët, ku do t’i dorëzojmë gjithçka tonën internetit, “privatësia” do të kujtohet vetëm në bisedat tona për të kaluarën dhe për gjeneratat e reja do të jetë një term anakornik.

Marrë në tërësi siguria kibernetike dhe varësia nga interneti – në cilëndo formë  – është një problem jo i vogël i së tashmes – por, është këtu për të qëndruar.

Qoftë për shkak të zvogëlimit të privatësisë, qoftë për shkak të sulmeve të tjera kibernetike ambienti në të cilin operojnë njerëzit dhe teknologjia ka marrë përmasa toksike.

Për të marrë një shembull praktik; teknologjia është super-marketi ku mund të blejmë gjithçka, por valuta është privatësia jonë.

E ardhmja do të tregojë nëse i kemi më të rëndësishme ëmbëlsirat që ofron super-marketi, apo të pasurit një minimum privatësie.

Mund të ekzistojë edhe një rrugë e tretë – një bashkëjetesë e të dyjave, por deri më tani askush s’e ka gjetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore