Teknologji

“Tech-exodus” në Silicon Valley


Elon Musk është bërë sipërmarrësi i radhës që shpërngulet nga Silicon Valley për në Texas, por ai po merr me vete edhe milionerë të tjerë që nuk ndihen më të kënaqur me politikat e shtetit të California-s.

Që prej viteve 80’, Silicon Valley ka qenë qendra botërore e teknologjisë dhe sipërmarrjes. Garazhet e famshëm të Palo Alto-s hynë në histori jo vetëm për arritjet e mëdha teknologjike që u përmbushën aty, por edhe për rrëfimin e ëndrrës amerikane të shekullit të XX-ë.

Koha e pandemisë në fakt e justifikon këtë lëvizje të disa sipërmarrësve dhe kompanive të tyre. Gjithsesi, ajo çfarë po ndodh realisht, është një eksod i vërtetë drejt Texas-it. Musk, vazhdoi një trend të filluar nga kompanitë Oracle dhe Hewlett Packard Enterprise. Por ai këtë trend po e zgjeron duke marrë me vete sipërmarrësit më të mëdhenj të Silicon Valley-t.

Pse Texasi?

Së pari, pas pandemisë, disa kompani të mëdha po mendojnë faktin e të punuarit nga shtëpia për punonjësit. Kjo, edhe pas përfundimit të pandemisë! Një zhvillim i tillë heq nevojën e të pasurit zyra të mëdha për kompaninë.

Por pyetja që ka lindur është pse po zgjidhet pikërisht Texas-i (me raste edhe Florida), nga super milionerët amerikanë?

Përgjigja është vetëm një: Taksat!

Shteti i California-s prej vitesh është bërë armiqësor me bizneset. Çmimet e pasurive të paluajtshme kanë kapur rekorde histori. Taksimi është bërë shumë i ashpër ndaj të pasurve. Musk madje, arriti deri aty sa t’i quante “diskriminuese ndaj sipërmarrësve”.

Në fakt ka një perceptim sikur ajo ëndërr që Silicon Valley prodhoi, po kthehet në një prishës ëndrrash për këdo që ka ide të reja për sipërmarrje.

Nga ana tjetër, Texas-i dhe Florida ofrojnë çmime ndër më të arsyeshmet në SHBA për pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, taksat ndaj individëve, zero!

Çfarë po formohet?

Vetëm këtë vit, janë 39 kompani që kanë ndërruar vendodhjen e zyrave qendrore. Ato janë vendosur në Austin të Texas-it. Tesla madje në atë zonë po investon për një ndërtesë të re me kapacitet për të krijuar pesë mijë vende të reja pune.

Zona është kodrinore, pra nuk jemi më në luginë si në California. Atëherë, ata kanë vendosur ta quajnë perandorinë e re të botës së sipërmarrjes, “Silicon Hills”.

Në atë zonë, 47% e banorëve janë të diplomuar. Pranë gjenden 25 kolegje dhe universiteti prestigjioze. Të gjithë, kanë filluar ta quajnë “Kryeqyteti Njerëzor”, pasi cilësia e jetës është e jashtëzakonshme./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore