Shqipëria

Të vraposh për Sindromën Down


“Vrapo për Down Syndrome Albania”.

Ky është viti i dytë radhazi që mbështetja ndaj Sindromës Down konkretizohet me maratonë.

Iniciuesi i nismës, Daniel Nikolla në një prononcim për Albanian Post rrëfen rrugëtimin e kësaj nisme.

“Ideja lindi duke vrapuar në parqet e Londrës. Ishte data 17 shtator 2021 dhe maratona ishte pikërisht një muaj më vonë. Qëllimi personal ishte që të inkurajoja vrapues të tjerë që të garonin për një kauzë që e kanë në zemër, e jo thjeshtë për një medalje apo qejf”, rrëfën ai.

Nikolla bën me dije se pas diskutimeve me Emanuela Zaimin, themeluese dhe drejtuese e fondacionit Down Syndrome Albania, “ne kuptuam që kauzat më të rëndësishme mbeten forcimi i ndërgjegjësimit publik dhe ngritja e fondeve për trajtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe Sindromën Down”.

“Në vetëm dhjetë ditët e para të fushatës, individë dhe kompani shqiptare në Shqipëri dhe diasporë bujarish dhuruan shumën 3 mijë Euro. Më pas ne vendosëm të bashkonim me nismën tonë edhe vrapues të tjerë dhe kështu fushata mori deri diku një dimension të madh publik”.

Sipas tij, vitin e parë u krijua një ekip prej 30 vrapuesish dhe mblodhën 8 mijë euro.

Kurse këtë vit të dytë, tregon Nikolla “synojmë që të mbledhim 100 vrapues dhe 15 mijë euro”.

“Në garën tonë, 100 vrapuesit mund të garojnë në kategori të ndryshme nga Fun Run dhe 10 kilometra deri tek garat e gjata 21 kilometër ose maratonën e plotë. Të gjitha fondet do të shkojnë për qendrën Down Syndrome Albania”.

Ai tregon se DSA konceptoi që vrapimin në maratonën e Tiranës ta kthente në një nga ngjarjet vjetore kryesore të ngritjes së fondeve, duke synuar edhe më fort që “të rrisim ndërgjegjësimin tek bizneset dhe dashamirësit e kauzës dhe komunitetit të gjerë”.

“Domethënëse është se 30% e vrapuesve do të jenë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Britania e Madhe, Gjermania etj.  Sot, pak më shumë se 3 javë deri në ditën e maratonës, janë dhe 40 vende të lira për vrapuesit, ndërsa fondi i ngritur është ende një shumë simbolike. Me këtë motivacion ne i drejtohemi kompanive dhe korporatave shqiptare që e kuptojnë rëndësinë e madhe të sensibilizimit përmes bamirësisë”.

Nikolla, gjithashtu tregon se çdo vrapues do të ketë “në bluzën e tyre të garës logot e kompanive dhuruese prandaj i bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që ta ndihmojnë fushatën e fondacionit vetëm për t’i shërbyer përgjegjësisë komunitare, por edhe për të shfaqur ngjyrat e tyre dalluese tek publiku”.

Ndër të tjera, thekson se, të ardhurat e mbledhura nga kjo fushatë do mbështesin terapitë e fëmijëve që vinë nga familje me vështirësi ekonomike apo në gjendje më vulnerabël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore