Biznes

Te Tropoja tjetër


Një krenari që nuk priste t’ia thoshe. Kjo ishte Tropoja.

Me furi të rrëmbente dhe pa të marrë aspak leje, të bënte pjesë të krenarisë së saj. Mbetej thjesht ta pranoje dhe ta shijoje.

Mes pranvere, nëpër male ende kishte grimca dëbore që shndrisnin prej diellit. Ndërsa qielli nuk nguronte të pasqyronte pastërtinë që kuptohej në çdo frymëmarrje.

Ngado ngjyra të gjalla. Ngado lëvizje.

Mirëpo, kjo harmoni e natyrës nuk gjendej te bizneset e vogla që pjesën më të madhe të kohës qëndronin në vetmi. Sepse në hapësirat e tyre të vogla mungonte forca kryesore, blerësit.

“E kam ma për mbarë me shku në Gjakovë. Atje blej”, u shpreh për Albanian Post D. D. ngjashëm sikur të donte të shpallte të vërtetën që i bashkonte edhe të tjerët.

Në tentativë për t’i dhënë një shpjegim ardhje-vajtjeve të tij në Gjakovë, pranoi se ushqimet në Gjakovë “janë ma lirë e ma mirë”. Kjo ishte arsyeja ngulmuese që e detyronte atë të linte shpesh Tropojën.

Edhe tregtarët aty rrotull e dinë këtë. Madje, për ta është një nga shkaqet pse punë nuk ka.

Një prej tyre, M. H. tregon për Albanian Post se afërsia me qytetin e Gjakovës, afro 40 minuta larg, kthehet në shtysë për banorët që të lënë qytetin e tyre dhe t’i drejtohen qytetit kufitar për të kryer blerjet.

Megjithatë, afërsia nuk është e vetmja shtysë që ndikon.

“Është ma e madhe. Ka ma shumë biznese, ma shumë artikuj, ma shumë mundësi zgjedhje”, shton ai teksa përpiqet të rendisë shkaqet e dyqanit të tij ushqimor të mbetur bosh.

Gjithsesi M. H. ka pohuar se “njerëzit mendojnë se ushqimet atje janë ma lirë, por në realitet ato janë gati njësoj, ndoshta edhe pak ma shtrenjtë” duke rrëzuar idenë e qytetarëve për lirësinë e blerjeve në Gjakovë.

Sipas tij, tregu në të cilin ndjehet më shumë luhatja e çmimeve janë ai i makinave apo i veshjeve. Teksa zbulon detaje të tjera për fenomenin tropojan, thotë se baza e tij është furnizimi i makinave me naftë, e cila rezulton të jetë shumë më e lirë.

“Nafta, sidomos nafta. Ajo i çon njerëzit në Gjakovë. Është shumë ma e lirë, prandaj dhe ata shkojnë andej si fillim për të furnizuar makinat e tyre me naftë e më pas për të shfrytëzuar rrugën për të blerë gjërat për të cilat kanë nevojë”, shpjegon M. H.

Ai e përmbyll rrëfimin e tij duke thënë se “te ne blejnë nga e keqja, jo se duan, por kanë harruar diçka prej Gjakovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore