Lajme

“Të shtunën fillon kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës”


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka nxjerrë vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vitit shkollor 2022-2023.

Bazuar në këtë vendim ditët e humbura gjatë grevës së SBASHK-ut, do të kompensohen të shtunëve deri në janar të vitit 2023 si dhe ka propozuar pagesë avans për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura.

“MASHTI njofton se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023”.

Tutje MASHT-i, ka bërë të ditur se mësimi do të mbahet edhe në pushimin pranveror.

“Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”.

“Institucionet e arsimit parauniversitar të cilat kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 janë të obliguara që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit të përcaktuara më UA-05/2022”.

Në njoftim është theksuar se zbatimin e këtij vendimi do ta mbikqyr Inspektorati i arsimit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me anë të një statusi në llogarinë e saj në Facebook ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin se paga për mësimdhënësit grevistë nuk do të ketë.

Qeveria e ka ndërmend të paguajë vetëm ata mësimdhënës që nuk iu bashkuan grevës.

Ajo më tej ka bërë të ditur se deri më tani janë realizuar vetëm pagat e të gjithë atyre të cilët nuk kanë participuar në grevën e organizuar nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci në rrjetin e saj social në Facebook.

Nagavci duke u bazuar në dy nene të Ligjit për Greva ka arsyetuar mos-pagesën e mësimdhënësve.

Sipas saj kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.

Ndryshe një ditë më parë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

Sipas saj një gjë të tillë e parasheh Ligji për Grevën.

Qeveria po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva për ta arsyetuar mos pagesën e mësimdhënësve.

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Në një pjesë të opinionit publik, ndalja e pagave është interpretuar si tendencë e qeverisë për të frikësuar të pakënaqurit dhe shuar revoltat eventuale nga kjo pakënaqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore