Lajme

Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës


Gjatë kësaj të diele të 15 majit në pjesën veriore të Kosovës janë të dëgjuar të shtëna me armë zjarri.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, i cili ka thënë se këto të shtëna janë dëgjuar në rrethinën e komunës së Zveçanit.

“Nuk ka incidente të raportuara. Mund të ndodhë që ka pasur ndonjë aheng në ndonjë lokacion të rrethinës së komunës së Zveçanit, mirëpo njësitet ende nuk kanë lokalizuar”, tha Hoti.

Ai ka shtuar se tashmë patrullat e policisë janë në terren.

Ndryshe, më 16 prill, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati vizituar pikat kufitare në Jarinje, Bërnjak dhe Shaptej ku qe pesë herë ishin sulmuar zyrtarët policorë dhe veturat e tyre.

“Policia jonë kufitare mbikëqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njëjtë e me vigjilencë të shtuar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas tij, “sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës të cilat i kemi mbyllur”.

“Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policorë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”.

Ndërsa të premten e 15 prillit,  Sveçla në konferencë të jashtëzakonshme për media pati bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar me AK-47 dhe granata dore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore