Shqipëria

Të rinjtë, ‘kampionë’ të të infektuarve


Në Shqipëri, që prej fillimit të pandemisë COVID-19, janë regjistruar thuajse 151 mijë të infektuar me coronavirus për të gjitha grupmoshat.

Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë publikuar një raport, ku tregohet renditja e infektimeve bazuar te mosha.

Në sezonin e dimrit 2020-2021, përqindjen më të lartë të të infektuarve e zënë të rinjtë 25 deri në 35 vjeç (20.3%).

Në raport vihet re se 60.37% e të rinjve të infektuar janë femra, në raport me meshkujt (39.62%.)

Pse këto shifra tek të rinjtë?

Sipas ISHP-së, arsyeja e këtyre shifrave të larta tek të rinjtë është moszbatimi i masave anti-COVID.

“Të rinjtë”, thonë ekspertët, “janë më shumë neglizhues për sa i përket zbatimit të masave”, të cilët shpjegojnë se nuk janë risk vetëm për veten e tyre, por “bëhen shkak i infeksioneve te moshat e tjera”.

Grupmoshat e dytë dhe tretë, të prekura nga COVID-19

Gjithashtu studimi konfirmon se personat në moshë pensioni ishin grup-mosha e dytë me shifra të larta infektimi (18.97%).

Në këtë moshë ka një përmbysje të gjinisë në infektime, sipas raportit të ISHP-së: meshkujt zënë 52.25%, ndërsa femrat 46.74%.

Në vend të tretë renditet grupmosha 55-64 vjeç (17.7%).

Përqindje më e lartë vërehet sërish te femrat (56.25% ) – me një dominancë jo të konsiderueshme në krahasim me gjininë tjetër (43.75%).

Mosha aktive në punë, “burim” infeksionesh

Instituti bën me dije, po ashtu, se dy personat 35–44 vjeç dhe 45–54 vjeç, ndikojnë në transmetimin e infeksioneve, pasi janë dy grupmosha aktive në punë.

Ekspertët që kanë gjurmuar infektimet në terren shprehen në studimin e tyre se ka infektim të lartë edhe te grupmosha 55–64 vjeç, e cila është kryesisht e angazhuar në institucione drejtuese publike dhe jopublike.

Ata pohuan se infektimet në institucione publike dhe jopublike vërtetojnë se nuk janë zbatuar siç duhet masat mbrojtëse anti-COVID.

Nga ana tjetër, fushata e vaksinimit në Shqipëri ka qenë më e suksesshmja në rajon.

Deri më tani të vaksinuar janë 1 milionë e 527 mijë e 801 qytetarë me njërën dozë. Vetëm për 24 orë janë vaksinuar 13 mijë e 362 veta.

Ndërsa me dy doza janë imunizuar mbi 603 mijë qytetarë që prej fillimit të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Shqipëria javët e fundit ka parë një rritje të infektimeve me COVID-19. Mbi 800 raste të incidencës numërohen çdo ditë. Ndërkohë aktivë në të gjithë vendin janë mbi 12 mijë qytetarë.

Për këtë shkak të shtunën e 4 shtatorit u riaktivizua spitali COVID 3 për të trajtuar të sëmurët që kanë nevojë për shërbim spitalor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, çdo ditë bën thirrje që populli të vaksinohet për të shmangur fatalitetet.

Më 1 gusht nisi fushata e vaksinimit masiv, e cila do vijojë të funksionojë dhe për muajin shtator.

Kjo nismë i parapriu asaj tё datës 19-25 korrik, nё tё cilën u vendos një javë e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

Vaksinat e përdorura janë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore