Shqipëria

Të punosh në profesion, apo në një punë të mirëpaguar?


Arsimi është hallka kryesore drejt hapave më të sigurt për jetën. Por, punësimi mbetet finalizimi konkret.

Të gjesh një punë në Shqipëri mbetet diçka e vështirë. Të paktën këtë deklarojnë të rinjtë që përfundojnë universitetin.

“Nuk më është ofruar mundësia për të punësuar në profesionin tim”, thotë për Albanian Post i diplomuari në Shkenca Politike, Aron Pepaj.

Ndërkohë, paralelisht me deklaratat për mungesë vendesh pune, qëndrojnë drejtori të agjencive të punësimit.

Një nga këto është edhe Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit Tiranë, ku sipas drejtueses Julinda Gjoni, problemi aktual mbetet plotësimi i vendeve të lira të punës, të cilat janë për pozicione pune, që kërkojnë kualifikim dhe arsim të lartë.

Por, me sa duket, të rinjtë nuk po e kthejnë kokën nga dyert e institucioneve.

Luljeta Metoshi ka studiuar teknikë laboratori në Fakultetin e Shkencave Teknike në Tiranë.

“Kurrë nuk kam punuar në profesion, ndaj vendosa të punoj diçka që nuk lidhet me atë që kam përfunduar. Aktualisht punoj te një kompani, si dhe merrem me menaxhimin e dy faqeve online dhe me zhvillimin personal”.

Metoshi thekson gjithashtu se nuk ka shpresë që do të fillojë në profesion, ndaj ka zgjedhur të bëjë diçka tjetër që e bën të lumtur moralisht dhe financiarisht.

Një histori ndryshe vjen nga Anxhela Maçi, e cila ka përfunduar shkollën për mësuesi në gjuhën frënge.

“Punoj në një kompani të huaj franceze, për shërbim me klientin, mbledhje borxhesh, punësim”.

“Në rast se do të kisha mundësi të punoja në profesion, pavarësisht se në punën aktuale vlerësohem dhe është një punë e mirëpaguar, unë do të punoja me shumë kënaqësi në profesionin si mësuese edhe po të jetë me pagesë shumë më të ulët”.

Haki Meta, ekonomist, drejton gishtin nga partitë. Sipas tij, nëse nuk je pjesë e një “testere partie” apo mospasja e mundësive ekonomike, nuk mund të sigurosh një punë në Shqipëri.

Me sa duket të rinjtë nuk kthejnë sytë nga këto drejtori. Kanë vendosur të gjejnë punë, pa trokitur në këto dyer.

Gjoni tregon se pjesa më e madhe e punëkërkuesve të papunë që janë të regjistruar në databazën e tyre, vijnë nga kategori vulnerabile, një pjesë e mirë e të cilëve janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, gjithashtu një pjesë e konsiderueshme (mbi 50%) e tyre kanë profesione elementare dhe kanë arsim nën 9-vjeçar.

Gjithashtu, Gjoni tha se së shpejti, me sistemin e përmirësuar të shërbimeve të punësimit, procesi i ndërmjetësimit do të bëhet mbi aftësitë e fituara nga eksperiencat e mëparshme të punës, profesionit të dëshiruar dhe adresës së banimit.

“Kjo gjë do të rrisë shumë cilësinë e këtij procesi dhe mendojmë që në të ardhmen do të rrisim besimin si të bizneseve ashtu edhe të punëkërkuesve”.

Lidhur me evidencat për të punësuarit në profesion, ajo u shpreh se nuk zotërojnë për punësimet nëse ato janë në profesion apo jo.

“Ne kemi profesione të dëshiruara dhe nëse një person ka si profesion jurist, mund të punësohet në një kompani si menaxher, si asistent zyre. Ndërmjetësimi nuk mund të gjykohet nëse punësimi është bërë në profesion apo jo pa përcaktuar qartë kë do quajmë profesion”.

Zyrat e punësimit ankohen se nuk kanë grupe me një arsim të caktuar, të rinjtë që diplomohen ankohen se nuk mund të gjejnë punë…

Kujt i mbetet faji?

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore