Lajme

Të premten shkollat nuk punojnë, punëtorët e arsimit në protestë, thotë SBASHK-u


Ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se më 20 maj të premten shkollat në Kosovë, nuk do të punojnë, për shkak se punëtorët arsimor do të marrin pjesë në një protestë madhore për çështjen e pagave në sektorin arsimor.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në komunikatën për media.

SBASHK-u ka shprehur keqardhje për gjendjen e krijuar, e cila sipas tyre, është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete.

“Po ashtu apelojmë të prindërit që për hir të sigurisë së fëmijëve të tyre nesër mos t’i nisin për në shkollë sepse shkollat janë pa personelin arsimor, të cilët pa fajin e tyre janë të detyruar të protestojnë  në përpjekje për realizimin e kërkesave të tyre”, vazhdon komunikata.

“Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës, kurse  nga anëtarësia jonë në çerdhe kërkojmë mirëkuptim në mënyrë që puna atje të mos  ndalet nesër, por përfaqësues nga këto institucione të marrin pjesë në protestë pa e cenuar rrjedhën e procesit të punës  në çerdhe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore