Pajisje

Të Premten e Zezë punëtorët e Amazon-it planifikojnë greva


Në 20 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe disa në Bashkimin Evropian, punëtorët e kompanisë Amazon po planifikojnë protesta dhe ndërprerje të punës në të Premten e Zezë.

Mirëpo, kjo ditë është në qendër të blerjeve në Amazon dhe një ndër më të ngarkuarat gjatë gjithë vitit, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Sipas grupimit Make Amazon Pay, kompania teknologjike “merr shumë dhe jep shumë pak”.

Ai mbështetet nga një koalicion i grupeve të punës, sindikatave dhe organizatave jofitimprurëse në vende të veçanta.

Në Mbretërinë e Bashkuar, asnjë magazinë Amazon nuk është e bashkuar, kështu që shumë punonjës do të punojnë atë ditë, me grupet që organizojnë protesta në ndërtesat e kompanisë në Coalville, Leicestershire, Coventry, Peterborough dhe në selinë e saj në Londër.

Por grevat po inkurajohen edhe në vende të tjera.

Në Gjermani, sindikata Verdi u ka drejtuar thirrje punonjësve në qendrat kryesore të transportit për grevë, duke filluar nga e mërkura mbrëma.

Ndërkaq, në mbarë botën, gati 50 organizata janë regjistruar në një listë të “kërkesave të përbashkëta”, të publikuar nga koalicioni Make Amazon Pay.

Kërkesat, tregon “BBC”, përfshijnë rritjen e pagës së punëtorëve të magazinës dhe shtimin e pagesës së rrezikut.

Përpos këtyre, ndalimin e “mbikëqyrjes” së punëtorëve, zgjatjen e pushimit në rast problemesh shëndetësore  dhe përmirësimin e gjurmimit dhe raportimit të COVID-19.

Gjithashtu dhënien fund të statusit të përkohshëm të punësimit dhe aktiviteteve të “shkatërrimit të sindikatës”.

Mick Rix, nga GMB Union, ka thënë se “është koha që Amazon-i të ulet me sindikatat e punëtorëve dhe të kthehet në një vend të sigurt për të punuar”.

Referuar “BBC”, kompania është akuzuar se ka mbajtur një qëndrim kundër sindikatave në të gjithë operacionet e saj, veçanërisht në SHBA.

Owen Espley, nga grupi i fushatës War on Want, ka thënë se “fuqia në rritje e Amazon-it është një kërcënim për komunitetet dhe punëtorët në mbarë botën”.

Ai ka vijuar se “Amazon-i po abuzon me dominimin në shitjet me pakicë në internet, shërbimet cloud dhe logjistikën, për të krijuar konkurrencë të pandershme që po ul standardet për të gjithë.

Gjithashtu ka shtuar se “punëtorët e saj përballen me kushte të pasigurta, mbikëqyrje të vazhdueshme dhe trajtohen si robotë”.

Kështu që, ka ardhur koha për një ndryshim në kompani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore