Lajme

Të përparojmë në rrugën drejt BE-së pa vonesë, thotë Michel


Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, deklaroi pas hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë se palët duhet të përparojnë në rrugën drejt BE-së pa vonesë.

Lajmi u bë i ditur nga zyra për shtyp e Këshillit të Evropës.

“Shqipëria ka punuar shumë për të siguruar rezultate nga reformat dhe një historik zbatimi në të gjitha fushat e identifikuara nga Këshilli. Sot është një ditë historike dhe një kohë për të festuar atë që është arritur, por edhe një kohë për të parë sfidat përpara me një objektiv të qartë: të përparojmë në rrugën drejt BE-së pa vonesë”, theksoi fillimisht shefi i KiE-së.

Sipas tij, më në fund autoritetet kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në hapjen e negociatave.

“Konferencat ndërqeveritare në nivel ministror u mbajtën në Bruksel për të zbatuar vendimin e Këshillit Evropian të marsit 2020 për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Përgëzoj autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për këtë arritje të shumëpritur”, vijoi Michel.

Ai shtoi se e kupton që rruga për të arritur në këtë pikë ka qenë e gjatë dhe sfiduese.

Mbajtja e sotme e IGC-ve, nënvizon Michel, zhbllokon fazën tjetër si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Tani do të nisë procesi i shqyrtimit, jo vetëm shqyrtimi i përditësuar shpjegues, por edhe depistimi dypalësh. Negociatorët tanë, në Shkup, Tiranë dhe Bruksel, i pret punë e vështirë në këtë fazë vendimtare. Në muajt e ardhshëm, kjo do të ndërtojë një bazë solide për hapjen e grupeve të kapitujve negociues”, ravijëzoi presidenti i KiE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore