Lajme

Të paktën një fëmijë ka humbur jetën nga lloji misterioz i hepatitit të rëndë, konfirmon OBSH


Të paktën një fëmijë ka vdekur nga një lloj i panjohur i hepatitit të rëndë, i cili tani është raportuar në 12 vende, ka konfirmuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Organi i OKB-së tha të shtunën se është në dijeni për 169 raste të rralla të hepatitit akut, një inflamacion i mëlçisë, te fëmijët e vegjël. Prej tyre, 17 u sëmurën aq shumë sa kishin nevojë për transplantim të mëlçisë.

Shumica e infeksioneve, 114 prej tyre janë në Britaninë e Madhe, e ndjekur nga Spanja, e cila ka regjistruar 13 raste dhe Izraeli me 12. Përhapja është parë edhe në SHBA, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Francë, Norvegji, Ruman dhe Belgjikë.

Ndërsa hepatiti i lehtë pediatrik nuk është i padëgjuar, hepatiti i rëndë tek fëmijët e shëndetshëm është i rrallë.

Autoritetet shëndetësore kanë hetuar sëmundjen “misterioze”, e cila ka prekur të rinjtë nga një muaj deri në 16 vjeç, pasi në Skoci u identifikua një grup rastesh që datojnë nga janari deri në mes të prillit.

Në një intervistë me “Stat”, një faqe interneti e lajmeve shëndetësore në SHBA, përcjell Albanian Post OBSH ka inkurajuar vendet të monitorojnë dhe raportojnë raste të ngjashme.

“Megjithëse shifrat nuk janë të mëdha, pasojat kanë qenë mjaft të rënda”, tha Richard Pebody, nga ekipi i patogjenëve me kërcënime të larta të divizionit evropian të OBSH-së.

Rastet janë akoma më të pazakonta, sepse ato nuk janë të lidhura me asnjë nga pesë shtamet tipike të virusit – hepatiti A, B, C, D dhe E.

Shkencëtarët aktualisht besojnë se një adenovirus, një lloj virusi i zakonshëm që mund të shkaktojë ftohje të zakonshme, mund të jetë prapa valës së rasteve akute të hepatitit. Të paktën 74 nga fëmijët e prekur kanë rezultuar pozitivë për infeksion adenovirus.

Ndërsa adenovirusi 41 ka qenë i lidhur me hepatitin tek fëmijët me imunitet të kompromentuar, ai kurrë nuk është ditur të shkaktojë gjendjen tek fëmijët më parë të shëndetshëm.

Drejtori i Shëndetit Publik të Skocisë, Jim McMenamin, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters”, shkruan Albanian Post se po punohet për të kuptuar nëse një adenovirus ka pësuar mutacion për të shkaktuar sëmundje më të rëndë, ose nëse mund të jetë duke shkaktuar probleme “në të njëjtën kohë” me një virus tjetër, duke përfshirë ndoshta Sars-CoV- 2, virusi që shkakton Covid-19.

Çdo lidhje me vaksinat COVID-19 është përjashtuar, pasi shumica dërrmuese e fëmijëve që janë sëmurë nuk janë vaksinuar, sipas OBSH-së.

Shkencëtarë të tjerë thanë se ulja e imunitetit si rezultat i përzierjes së reduktuar sociale gjatë pandemisë mund të jetë një shpjegim.

Simptomat e hepatitit përfshijnë zverdhje të syve dhe lëkurës, sëmundje, lodhje, ethe, humbje të oreksit, të përzier, të vjella, dhimbje barku, jashtëqitje me ngjyrë të hapur dhe dhimbje kyçesh.

Prindërve u thuhet të kujdesen për simptomat dhe të kontaktojnë një profesionist të kujdesit shëndetësor nëse janë të shqetësuar për fëmijën e tyre. Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore ka kërkuar larjen e duarve dhe “higjienën e plotë të frymëmarrjes”, siç është kollitja dhe teshtitja në një pecetë.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore