Lajme

Të paktën 21 persona humbën jetën pas një zjarri masiv në një ndërtesë në Gaza


Zjarri që shpërtheu në një ndërtesë banimi në kampin e refugjatëve Jabalya në Gaza-n veriore të enjten vrau 21 banorë, përfshirë fëmijë, njoftuan shërbimet e urgjencës në enklavën bregdetare.

Sipas një hetimi paraprak, zjarri ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një sasi e madhe benzine që ishte ruajtur në ndërtesë për një arsye të panjohur, tha një deklaratë nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Hamasit.

Sipas një raporti që vjen nga Gaza, zjarri ka rënë gjatë një feste në banesën e një zyrtari të Ministrisë së Punës.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe e shpalli të premten ditë zie.

Ministri i Mbrojtjes Benny Gantz tha se “Izraeli dhe strukturat e sigurisë shprehin dhimbjen e tyre për fatkeqësinë e rëndë në Gaza” dhe shtoi se COGAT, organi izraelit që kontrollon kalimin Erez me Rripin e Gaza-s, ka ofruar të evakuojë njerëzit në spitale.

Deklarata e Gantz vjen menjëherë pasi Hussein Al-Sheikh, një zyrtar i lartë i Autoritetit Palestinez, i bëri thirrje Izraelit të hapë pikën kufitare me Gaza-n për të lejuar evakuimin e të plagosurve që kanë nevojë për kujdes të avancuar mjekësor në spitalet palestineze në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.

Gaza, e sunduar nga Hamasi dhe nën një bllokadë gjymtuese izraelito-egjiptiane, përballet me një krizë të rëndë energjetike. Njerëzit shpesh ruajnë gazin e gatimit, naftën dhe benzinën në shtëpi në përgatitje për dimër. Zjarret në shtëpi janë shkaktuar më parë nga qirinjtë dhe rrjedhjet e gazit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore