Sport

Të ndeshesha në Shqipëri ishte ëndrra ime fëmijërore, thotë Marku


Boksieri shqiptar Florian Marku zbuloi ëndrrën e tij fëmijërore disa orë përpara ndeshjes për gjerdanin e dytë personal.

“Të luftoja në Shqipëri ishte ëndrra ime që kur isha fëmijë. Do të ketë mijëra të pranishëm dhe mezi po pres. Është e pabesueshme dhe të gjithë shqiptarët do të jenë aty”.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “I News”, duke cituar intervistën me sportistin shqiptar.

Sipas tij, ai mbetet i ri në këtë sport me një përgatitje në të kaluarën si kick-boxer.

“Unë jam i ri në këtë sport, ju e dini që kam qenë kickboksier dhe boksi është pak më ndryshe, por unë jam duke u përmirësuar shumë dhe kam shumë më tepër për t’u treguar njerëzve”, tha Marku më tej.

Boksieri shqiptar ka mundësinë që të shtojë një gjerdan të dytë në brezin e tij ndërkombëtar IBF gjatë rikthimit të tij në Shqipëri.

Titulli i lirë “WBC Silver” në peshën e lehtë është në lojë kur ai do të përballet me Miguel Parra Ramirez, i cili vetë po lufton për herë të dytë jashtë Meksikës.

Marku, i cili stërvitet në Britani, u bë kampion ndërkombëtar i IBF-së në shtator, pas humbjes së parë të Anthony Joshua nga Oleksandr Usyk në stadiumin “Tottenham Hotspur”.

Ai takim vetëm sa i rriti ndjekësit e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

29-vjeçari mbetet i pamposhtur në këtë disiplinë dyluftimi (11-0-1, shtatë KO – knockout) – me vetëm një barazim me Jamie Stewart në vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore