Lajme

‘Të ndarë, por të barabartë’, falet nga Gjykata aktivisti Plessy i arrestuar 130 vjet më parë


Guvernatori i Louisiana-s, John Bel Edwards, ka vendosur të falë Homer Plessy-n, një aktivist me ngjyrë të shekullit të XIX-të, arrestimi i të cilit 130 vjet më parë çoi në një nga vendimet më të kritikuara të Gjykatës së Lartë në historinë e SHBA-ve.

Plessy u arrestua në 1892, pasi bleu një biletë dhe refuzoi të linte një vagon treni vetëm për të bardhët, në New Orleans.

Në 1896, Gjykata më e Lartë e SHBA-ve e dënoni aktivistin, duke u hapur kështu rrugën ligjeve të ndarjes, të quajtura “ligjet e Jim Crow”, në jugun e SHBA-ve.

Falja u dha nga vetë zyra që kishte kryer akuzën kundër tij.

“Ligjet e Jim Crow” – segregacioni racial

Pasi aktivistin Plessy e zbritën nga treni, çështja e tij e quajtur “Plessy kundër Ferguson” përfundoi në Gjykatën e Lartë.

Gjykata vendosi që të gjitha racat mund të akomodoheshin në mjetet publike, por të ndarë – një doktrinë e quajtur “të ndarë, por të barabartë”.

Vendimi i tyre qëndroi në fuqi për dekada, derisa një çështje gjyqësore historike e vitit 1954, e quajtur “Brown kundër Bordit” – në lidhje me sistemin e arsimit – hodhi dritë mbi ligjet e ndarjes racore.

“Drejtësia vonon, por nuk harron”

“Dënimi i Plessy-t nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, deklaroi Guvernatori Edwards në ceremoninë e faljes, të mërkurën e 5 janarit 2022, e cila u mbajt jashtë ish-stacionit të trenit, vendi ku u arrestua Plessy.

“Drejtësia nuk ka datë skadence”, ravijëzoi ai. “Asnjë çështje nuk zgjidhet ndonjëherë derisa të zgjidhet siç duhet”.

Në ceremoni, përveç Guvernatorit të Louisiana-s, ishin edhe pasardhësit e Plessy-t dhe ata të John Howard Ferguson, gjykatësit që e shpalli Plessy-n fajtor për shkeljen e Aktit të Shtetit për “Vagonët e Veçantë” të vitit 1890.

Në atë kohë, sipas ligjit, kompanitë hekurudhore duhet të siguronin “mundësi të barabartë, por akomodime të veçanta” për udhëtarët e bardhë dhe ata me ngjyrë.

“Vendimi i Plessy-t i 1896-s ligjëroi segregacionin racial për qëllimin e qartë të shpalljes dhe përjetësimit të supremacisë së bardhë, po aq imorale dhe faktikisht i gabuar sa ishte dhe është”, përmbylli fjalën Edwards.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore