Shqipëria

“Të mitur në kantier”, arrestohet përgjegjësi i punimeve


Dy të mitur janë rrëzuar nga lartësia gjatë kohës që punonin në kantierin e ndërtimit të një qendre tregtare në Tiranë.

Incidenti i rëndë u regjistrua gjatë së shtunës, bëri të ditur policia.

Sipas njoftimit, autoritetet kanë arrestuar përgjegjësin e punimeve – 45-vjeçarin me iniciale I.Gj.

Kjo, për shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë.

Dy të miturit ishin përkatësisht 16 dhe 17 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, përmbyllet njoftimi i policisë.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar dhe organizata për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve “CRCA / ECPAT Albania”.

“Shqipëria prej vitesh e ka ndaluar punën e rëndë të fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Por në realitet ngjarje të tilla tregojnë që shfrytëzimi i fëmijëve për punë vazhdon dhe çdo gjë ndodh përpara syve të Qeverisë”, vëren CRCA-ja.

Organizata kërkon që firmave të cilat punësojnë fëmijët “t’ju hiqet liçensa e operimit dhe drejtuesit e tyre duhen ndjekur penalisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore