Përballje

Të mërkurën zhvillohen dy ndeshjet gjysmëfinale në Kupën e Kosovës


Kupa e Kosovës rikthehet të mërkurën me dy ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale, të cilat pritet të jenë mjaftë interesante.

Interesant në këto dy ndeshje gjysmëfinale është fakti se njëra sfidë do të jetë mes dy ekipeve nga Superliga, kurse gjysmëfinalja tjetër përbëhet nga dy skuadra të Ligës së Parë të Kosovës.

Pa dyshim që vëmendja do të jetë në ndeshjen Prishtina – Llapi, ndeshje kjo, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë kalimin në finale.

Prishtina po lufton në të dy frontet duke qenë në garë si për titull ashtu edhe për kupë, teksa nga ana tjetër për Llapin triumfi eventual në Kupën e Kosovës, do të jetë mundësia e vetme për tu kualifikuar në garat evropiane.

Pra llapjanët do të kërkojnë më çdo kusht që të kualifikohen në finale, por një hap para kalimit tutje, do të kenë përballë një kundërshtarë shumë të vështirë, Prishtinën, ndaj të cilëve kanë një rekord tejet negativ.

Për të arritur në këtë fazë të kupës, kryeqytetasit eliminuan Kosovën VR, Dritën dhe Feronikelin, ndërsa skuadra e Tahir Batatinës mposhti Onixin, Ballkanin dhe Trepçën’89.

Gjysmëfinalja tjetër e paparashikuar, është ndërmjet dy skuadrave të cilat bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të futbollit në vend, Istogu dhe Dukagjini.

Dy skuadrat bëjnë pjesë në Grupin A të Ligës së Parë, të cilat po luftojnë kokë më kokë për rikthimin në Superligë, ku Dukagjini pozicionohet e para në tabelë me 43 pikë, ndërsa Istogu gjendet në vendin e tretë me katër pikë më pak.

Për të arritur në këtë fazë, Istogu eliminoi Besën, Gjilanin dhe A&N, kurse Dukagjini deri më tani kanë eliminuar skuadrat e Vllaznisë, 2 Korrikut dhe Drenicës.

Të dyja ndeshjet do të fillojnë në ora 15:00, ndërsa ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më datën 21 prill.

Ndërsa kujtojmë që fituesi i Kupës së Kosovës, do të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore