Shqipëria

Të mërkurën nis puna e Komisionit për Reformën Territoriale


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të martën e 14 qershorit, në një konferencë për mediat ka deklaruar se të mërkurën nis zyrtarisht puna e Komisionit për Reformën Territoriale.

Balla për mediat theksoi se është dakordësuar që të ngrihet një grup pune, e cila do të hartojë një projekt.

“Është e rëndësishme që ky komision të bëjë një hulumtim të punës së deritanishme. Zhvillimi rajonal duhet të jetë sfida jonë e përbashkët”, tha Balla.

Sipas tij Komisioni i posaçëm duhet të shohë të gjitha mundësitë për të parë edhe një bashkëpunim rajonal mes bashkive.

Kjo vjen edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian, sipas Ballës pasi organet e qeverisjes vendore duhet ta përqasin rolin e tyre në nivel rajonal.

“Besoj që këto shtatë vite, kanë konfirmuar një përmirësim të shërbimeve publike në dobi të qytetarëve. Ka nevojë për përmirësim”, u shpreh kreu i grupit socialist.

Ndër të tjera sipas vlerësimit të Ballës është që qarqet në modelin aktual kanë humbur peshën e tyre dhe duhet gjetur një mënyrë për të shkuar me “një organizim më të mirë”.

Kujtojmë që në seancën plenare të 9 qershorit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përbërjen e komisionit të posaçëm për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.

61 bashki?

I pyetur nga gazetarët lidhur me ndryshimet në numrin e bashkive, Balla e bëri të qartë se për të si qytetar dhe jo si politikan: 61 bashki janë shumë.

Ai theksoi se sa i përket kësaj të fundit ka shumë bashki të vogla ngjitur me njëra-tjetrën, “që mbajnë dy administrata kot”.

“Ky është vlerësimi i imi personal, por askush prej nesh nuk duhet të gjykojë punën e komisionit. E theksoj puna e komisionit do të jetë për shërbim më të mirë për qytetarin pasi në duhet të çojmë deri në fshatin më të vogël dhe të largët shërbimet e duhura për qytetarin”, ravijëzoi Balla.

Ndërkaq ai përmendi edhe Këshillimin Kombëtar, i cili po përgatitet që tu paraqitet qytetarëve për të dhënë opinionin e tyre rreth kësaj Reforme.

“Komisioni i posaçëm i Reformës Territoriale mos ta fokusojë punën vetëm te Partia Demokratike ‘do 100’ e PS-ja ’40 bashki’, por ta shohë pak më tepër këtë detyrë që i ka dhënë Kuvendi. Ky është një ligj që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend”, shtoi Balla.

Në përfundim ai bëri me dije se pë zgjedhjet vendore çdo gjë është gati dhe mund të mbahen rreth 15 prillit – 15 maj të vitit të ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore