Përballje

Të martën zhvillohet ndeshja e tretë në finalen e basketbollit të Kosovës


Këtë të martë me fillim nga ora 20:15 në palestrën “Karagaqi” të qytetit të Pejës, do të zhvillohet ndeshja e tretë e finaleve të “Play-offit” në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit.

Skuadra e Yllit ka fituar dy ndeshjet e para me Pejën, andaj në rast të fitores së tretë, atëherë do të shpallej kampion i edicionit 2020/21 në elitën e basketbollit kosovar.

Ndërkohë, pejanët do të shpresojnë për një fitore në këtë përballje për të ngushtuar serinë e finaleve në 1:2, që në këtë ndeshje do të rikthehet dhe AJ Walton, i cili ishte i suspenduar në dy përballjet e para.

Në finalen e parë e triumfoi Ylli në Pejë me rezultat 75:83, kurse sfidën e dytë e fitoi në shtëpi me rezultat të ngushtë 75:73, ku fundi ishte një dramë e vërtetë.

Për skuadrën nga Suhareka, do të ishte titulli i parë në historinë e tyre, derisa pejanët kërkojnë titullin e gjashtë në basketbollin e Kosovës.

Golden Eagle Ylli, këtë edicion fitoi Ligën Unike, duke mundur në finale pikërisht Pejën dhe po e kërkon trofeun e dytë në këtë edicion.

Peja në çerekfinale kishte mundur Sigal Prishtinën me serinë e ndeshjeve në 2:1, derisa në gjysmëfinale u përball me Ponte Prizrenin, ku kaluan në finale me serinë 3:2, pasi takimi i fundit ishte ndërprerë pas pjesës së parë dhe u takoi pejanëve me rezultat zyrtar 20:0.

Ndërsa Ylli në çerekfinale eliminoi Bashkimin me serinë 2:1, edhe pse humbi sfidën e parë, derisa në gjysmëfinale pas pesë sfidave shumë interesante eliminoi Rahovecin me rezultat 3:2.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore