Lajme

Të martën, Përparim Rama merr detyrën e kryetarit të Prishtinës


Përparim Rama, kryetar i ri i Prishtinës

Të martën e shtatë dhjetorit në ora 10:00, Përparim Rama, do ta marrë detyrën e kryetarit të ri të Prishtinës në ceremoninë inauguruese të pranim dorëzimit të detyrës së kreut të kryeqytetit.

“Ju njoftojmë se me këtë rast do të bëhet betimi dhe nënshkrimi i deklaratës solemne për marrjen e detyrës së kryetarit të ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama si dhe betimi i anëtarëve të ri të Kuvendit të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq Rama, në një intervistë për Kanal 10 pati thënë se Alban Zogaj do të jetë nënkryetar i kryeqytetit.

“Është një nënkryetar që është i konfirmuar, ai është Alban Zogaj”, ka thënë Rama.

Por, arkitekti deri më tani nuk i ka bërë të ditur emrat e drejtorëve që t’i emërojë.

Rama, fitoi garën si kandidat për kryetar të kryeqytetit, duke mundur kundër-kandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë.

Arben Vitia

Ai, timonin për qeverisje si i pari i Prishtinës e mori duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.

Bazuar në rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Përparim Rama, i cili do ta udhëheqë Prishtinën për katër vitet e ardhshme, ka arritur të grumbullojë një mijë e 701 vota më shumë se kundër kandidati i tij, Arben Vitia.

Ndryshe qe dy mandate kryetar i Prishtinës ishte Shpend Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore