Libra

“Të lirë” e Lea Ypit përkthehet në holandisht


Vepra e fundit e filozofes dhe profesoreshës universitare në London School of Economics, “Të Lirë: të rritesh në fund të historisë” së fundmi është përkthyer edhe në gjuhën holandeze.

Këtë ajo e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në faqen e saj në Facebook.

“Shumë e lumtur që po e shoh kopertinën dhe detajet e librit ‘Të Lirë’ –  në tetor del në shtyp nga De Bezige Bij”, shkroi Lea Ypi në njoftimin e saj.

Lea Ypi është profesoreshë e Filozofisë Politike në London School of Economics dhe profesoreshë e asocuar e Filozofisë në Shkollën e Kërkimit të Shkencave Sociale në Universitetin Kombëtar të Australisë.

Kjo vepër rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël dhe tranzicionin politik të një shoqërie dhe shtetit që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal. Prej një izolimi hermetik në një shoqëri të hapur dhe në lirinë esenciale njerëzore.

Lea Ypi është edhe autore e disa vepreve, shkrimeve, analizave, prej të cilave më të njohura janë “Arkitektonika e Arsye së Pastër: Qëllimësia dhe Uniteti Sistematik në Kritikën e Arsyes së Kulluar të Kantit”, “Drejtësia Globale dhe Veprimi Politik Avant-Gard”, dhe bashkëautore me Jonathan White në veprën “Kuptimi i Partizanitetit”, dhe së fundmi “Të lirë: të rritesh në fund të historisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore