Shqipëria

Të jetuarit në një komunitet, optika mes të huajve dhe shqiptarëve


Në Tiranën me rreth 5 mijë ndërtesa shumëkatëshe, të bashkëjetuarit në të njëjtin pallat, me sa duket, qenka një sfidë më vete.

Të bashkëjetosh në komunitet, do të thotë që të ndërveprosh në një rreth shoqëror mbi interesa të përbashkëta.

Ecuria e kësaj marrëdhënie konsiston te njerëzit me ide të përbashkëta për rregullin, higjienën, etikën e sjelljes dhe, po ashtu, respektin ndaj tjetrit.

Megjithatë, kryesisht në qytete të mëdha, si Tirana, nuk mungojnë sjelljet dhe ngjarjet e pahijshme. Janë vetë qytetarët, të cilët e pohojnë këtë fakt.

Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet: ndotje akuistike, zhurmë apo muzikë deri në orët e vona të natës, që për disa është kthyer në normalitet. Për disa të tjerë, në një komunitet të përbashkët, është e patolerushme.

E, sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, përballja me gjeste të pakëndshme, si hedhja e mbeturinave nga katet e mësipërme, apo akoma më keq, kur te porta e shtëpisë tënde, gjen plehrat e fqinjve. Shpesh, edhe për disa ditë me radhë.

“Çdo ditë gjejmë plehra nëpër shkallë. Është çmenduri!”, tregon për Albanian Post Teuta Sula, një banore në një pallat në zonën e “Myslym Shyrit”.

Sula e ndërlidh këtë veprim edhe me kulturën e gjithsecilit.

Sipas saj, komshinjtë, edhe pse janë me pozicione të larta pune, sillen sikur nuk janë pjesë e komunitetit ku qytetarja jeton. “Kultura, me sa duket, nuk i shoqëroka gjithmonë…”, pohon ajo.

Në disa raste, situata të tilla, janë përkeqësuar aq sa kanë përfunduar në përplasje fizike apo dyerve të gjykatave.

Sipas një studimi, zonat jo periferike të kryeqytetit, janë ato ku hasen problematika të këtilla.

Eva Pino tregon për Albanian Post (AP) se kontakti me fqinjët e saj është pothuajse zero. Ajo, as ia ka idenë se cila është familja që jeton në derën ngjitur saj.

“I njoh shumë pak komshinjtë, mos të them fare. Veçse në ashensor mund të has ndonjë syresh, dhe aty nxitimthi më ndodh që t’i përshëndes”, thotë Pino.

Megjithatë, edhe në këtë rast, medalja ka dy anë të historisë. Një bashkëjetuese në një komunitet, ku jeta e ka sjellë të bëhet pjesë, rrëfen për AP-në një anë pozitive të të bashkëjetuarit në një pallat me shqiptarët.

Shtetasja filipineze, Mishel Reyes, thotë se “është shumë kënaqësi të jetosh me shqiptarët. Ti duhet të përshëndesësh cilindo që ndesh në shkallë apo ashensor”.

Gjithashtu, ajo tregon se, mikpritja është një ndër virtytet e shqiptarëve. Këta të fundit, sipas Reyes-it, nuk lënë rast pa e shfaqur.

“Më e bukura qëndron se ti mund t’ju trokasësh në derë për gjithçka kur ke nevojë. Ata do ta gjejnë mënyrën për të ndihmuar”, rrëfen ajo.

Shtetasja e huaj jeton në periferi të kryeqytetit. Me sa duket, kultura nuk ka shumë ndërveprim me pozicionin gjeografik, por me atë çfarë secili përfaqëson.

Ky paralelizëm na bën të krijojmë dy qasje të ndryshme mbi atë çfarë të huajt krijojnë për ne dhe ajo çfarë ne vetë mendojmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore