Sport

Të jesh zëri i pasionit tënd


Pandemia Covid-19, tash e më shumë se 400 ditë, na ka privuar nga emocionet që të dhuron tifozëria në një stadium apo sallë sportive. Boshllëk që të vret përbrenda dhe të bën nostalgjik për momentet kur ato gumëzhinin dhe ishin plot.

Megjithatë, dikush që ne s’e shohim, por që zërin ia dëgjojmë, është kujdesur që të na mbajë “gjallë” në mënyrën më të mirë të mundshme.

Komentatorët po luajnë në dy role. Atë të profesionit të tyre dhe atë të tifozit, duke përcjellë çdo emocion që ndodh gjatë një ndeshjeje.

Të jesh zëri i pasionit tënd, në ngjarje që ndiqen nga mijëra njerëz, është ndjenjë shumë e bukur, siç rrëfejnë dhe tre komentatorë sportivë për Albanian Post (AP).

“Është një punë që më jep shumë kënaqësi, të cilën s’do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër”, thotë fillimisht Leart Sveçla, komentator sporti në SuperSport Kosova.

Të punuarit në këtë fushë, ai e konsideron privilegj dhe kënaqësi të madhe.

“E kam pasur pasion prej një moshe të hershme. Duke qenë i lidhur shumë me sportin edhe në mënyrë aktive si kadet e junior, mendoj që evoluimi im nga sportist në komentator ka ardhur natyrshëm”, vijon Sveçla.

Çdo ndeshje është histori më vete, sipas Leartit, ndërsa ajo që të intrigon është pamundësia për të parashikuar rezultatin e saktë të një ndeshjeje.

“Energjia dhe emocionet që t’i jep një ndeshje, janë gjërat më të mira në këtë profesion”, shton Learti.

Fakti që komentimi mund të mbetet në memorien e tjerëve, atij i jep motiv shtesë që të dhurojë më të mirën.

Learti tregon se futbolli dhe Basketbolli janë dy sportet e preferuara të tij për të komentuar. Për AP-në, thotë se brenda një dite i ka ndodhur që zëri i tij të dëgjohet te të dy sportet.

“Nevojitet shumë përqendrim kur kalon nga njëra te tjetra, pasi kanë specifika të ndryshme”, zbulon Sveçla, “ndryshojnë rregullat, ritmi, atmosfera, por edhe stili i të komentuarit, prandaj nuk është edhe aq e thjeshtë”.

Si të gjithë, edhe Learti është tifoz i sporteve dhe normalisht që ka preferencat e veta. Ai thotë që sfidë e madhe kur komenton skuadrën e preferuar, të gjesh balancën gjatë transmetimit.

Por, me sa duket, ai ia ka dalë më së miri: “Njerëzit që nuk më njohin gjatë, rrallë e qëllojnë se kush është ekipi im i preferuar, e kjo më gëzon”.

Të gjitha ndeshjet janë speciale, por Leartit i kanë mbetur disa në kujtesë.

“Nga ndeshjet e futbollit nuk mund ta harroj finalen e Copa Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate (2018), derbi Drita-Gjilani është po ashtu i veçantë”.

Nga basketbolli, Sveçla zgjedh ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës dhe klasiket mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Një tjetër komentator, Anarildo Aliaj, i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), në mendje do të ketë përballjen Panama-Tunizi, e para që ka komentuar në këtë televizion.

Përveç saj, ai veçon edhe fitoren 1-5 të Shqipërisë të Shpresave ndaj Austrisë.

“Për mua nuk është vetëm një profesion, por mbi të gjitha është pasioni im më i madh”, thotë Anarildo, “në familje më thonë që ‘kam lindur me top’, pasi nuk jam shkëputur kurrë nga ky sport”.

Pjesën më të bukur ai e konsideron përfshirjen që ka me futbollin gjatë gjithë punës.

Futbolli është sporti i vetëm që Anarildo komenton, ndonëse dëshiron ta bënte këtë edhe në disa të tjerë.

“Do të dëshiroja të komentoja tenisin, ndërsa me basketbollin apo volejbollin mund të hasja pak vështirësi dhe më duhet shumë punë”, thotë ai.

Vështirësitë që i ka ky profesion, ai i ka kaluar me lehtësi, për shkak të përkushtimit të madh.

Ndjenja pozitive, adrenalina që merr pas çdo transmetimi, komentet pozitive nga kolegët, lojtarët apo çdokush tjetër, janë më të veçantat për Anarildon.

Arbër Loxha, nga Televizioni i Kujtesa Sport, e vlerëson si punë shumë fisnike.

“Fakti që është mundësi e limituar dhe konsiderohet se jo çdokush ka aftësinë dhe kapacitetin të punojë, më bën të ndihem shumë krenar për këtë”.

Komentimin Loxha e konsideron edhe si ligjërim.

“Sado që thuhet se ju jeni vetëm komentator i një loje, unë besoj që ne bëjmë dhe mësuesin e lojës”. Kjo, për faktin që ai informon drejt, duke ngjallur emocionet te tjetri. Aq sa shikuesi arrin ta dojë atë që sheh.

Sipas tij, anë negative e profesionit, janë paragjykimet e shumta: “Tifozët shqiptarë kanë tendencën nganjëherë të besojnë se komentatori mund të ndikojë në suksesin e skuadrave që preferojnë. Befasohem dhe të njëjtën kohë nuk më pëlqen”.

Si çdo tifoz tjetër, edhe Arbëri i ka preferencat e tij. Kur i duhet të komentojë skuadrën e zemrës, puna i vështirësohet.

“Kam komentuar ekipin e preferuar. Kur ka triumfuar, e kam pasur shumë të vështirë që mos të thur lëvdata. Kurse, kur ka dështuar, nuk ka qenë e lehtë të bësh kritika”.

Sipas tij, “pjesa më e bukur është mundësia ta përshkruash pasionin për sportin dhe ta transmetosh atë te gjeneratat e ndryshme, sidomos ato të reja, që mësojnë dhe e duan atë”.

Loxha ka komentuar sporte të ndryshme, si futbolli, basketbolli dhe MotoGP.

Të vështirë ai e cilëson mbulimin e dy sporteve në një kohë relativisht të shkurtër.

“Në futboll ke më shumë kohë të mendohesh dhe të bësh përshkrimin e aksioneve. Në basketboll koncentrimi dhe komentet duhet të jenë të shpejta dhe në sinkron me ritmin e lojës. Andaj, nuk është i lehtë adoptimi në komentimin e një sporti kur koha është e shkurtër”.

Ndeshjet që ai do t’i mbajë mend janë: Dortmund-Hoffenheim (2009), e para në komentim.

“Por ndeshjet që më kanë diferencuar në mesin e komentatorëve”, thotë ai, “ishin Genoa-Sampdoria 2009, Derby della Lanterna dhe Barcelona-Real Madrid 2012, El Clasico. Paraqitjet e mrekullueshme të Militos në Lanterna dhe të Messi-it në Clasico më kanë nxjerr nga thellësia dashurinë që kam për sportin dhe atë pasion arrita t’ia përçoj shikuesit/dëgjuesit”.

Pse duhet të punosh si komentator?

Në fund, të tre komentatorët japin një mesazh për të gjithë të rinjtë që synojnë këtë profesion.

Leart Sveçla: “Qëndroni autentik, sepse askujt nuk i duhen dy komentatorë të njëjtë, prandaj mos u mundoni të imitoni të tjerët. Mundohuni ta shpërfaqni versionin tuaj më të mirë sa herë që keni mundësi dhe kurrë, por kurrë mos dyshoni tek aftësitë tuaja”.

Anarildo Aliaj: “Ngjit shkallën e parë të besimit. Nuk duhet të shohësh të tërë shkallën, por ngjit shkallën e parë”.

Gjithashtu, ai shton se, “profesioni i komentatorit nuk ka një shkollë të veçantë dhe kërkon shumë përkushtim, njohuri e mbi të gjitha shumë punë. Është një profesion që kërkon dozë të madhe pasioni. Këshilla ime është që të mos hezitojnë për të ndjekur pasionin dhe ëndrrën e tyre, por të punojnë fort dhe me shumë vullnet”.

Arbër Loxha: “Fillimisht pasioni për sportin është pikënisja tek ideja për të dashtë komentimin sportiv. Dija për lojën është më e rëndësishme se sa informata për një sportist. E kur t’ju jepet rasti për prova: bëhuni origjinal, mos imitoni askënd, por merrni nga të mirët. Duhet të ekzistojë dëshira që të komentoni lojët me premisën se si ju e shihni dhe çfarë është ajo që ka ngjallur pasionin për sportin te ju”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore