Lajme

“Të hyrat vetanake”, tema problematike mes kryeministrit dhe kryetarëve të komunave


Agim Aliu.

Pas përfundimit të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryetarët e Komunave, kryetari i Ferizajit njëherësh edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu në një deklaratë për media ka bërë të ditur se ka kërkuar nga kryeministri që të hyrat vetanake dhe fondet të pashpenzuara t’u barten komunave.

Sipas tij, “interesi i përbashkët i komunave është që të zhbllokohen të hyrat vetanake”.

“Komunat përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) vazhdueshëm i kanë paraqitur shqetësimet e tyre në formë zyrtare. Nisur që nga çështja e tatimit në pronë, e falja e 100 eurove, komunat janë gjendur në një situatë të pakëndshme para qytetarëve. Kryetarët e komunave të Kosovës kundërshtojnë bartjen e faljes së tatimit në pronë te komunat”.

I pyetur nëse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në rast se nuk zhbllokohen të hyrat vetanake, Aliu ka deklaruar se një çështje të tillë synojnë ta zgjidhin përmes komunikimit.

“Unë nuk njoh asnjë kryetar të komunave që kanë qasje ultimative, është qasje komunikimi dhe komunikimi duhet të jetë i sinqertë dhe zhbllokues në harmoni me zgjidhjen e situatave që kemi me bashkëqytetarët tonë”.

Agim Aliu.

“S’besoj që do të vije puna që të shkoj kjo çështje në Gjykatën Kushtetuese, sepse po besoj që takimi i sotshëm ka treguar se kemi energji për t’i zgjidhur këto çështje”.

Edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka bindjen se çështja e të hyrave vetanake do të zgjidhet.

“Sa i përket të hyrave vetanake me një kërkesë të thjesht kryeministri dhe ministri Murati u treguan të gjithë kryetarëve të komunave se e kanë si preokupim serioz dhe se kjo çështje mund të zgjidhet po ashtu”.

I pyetur për moskomunikimin e Qeverisë me komunat, kryetari i Gjilanit ka thënë se disa nga problematikat që kanë diskutuar sot janë probleme që nuk kanë gjetur zgjidhje që 20 vjet.

“Uji i pijes për Mamushën nuk ka gjetur zgjidhje që 20 vjet nuk mund të zgjidhet as për një vjet e as dy, prandaj janë probleme të trashëguara dhe që do të mbesin mbase si problematike edhe në të ardhmen”.

Alban Hyseni

Teksa, sipas tij, komunikimi i shpeshtë me ekzekutivin nuk ndodh për shkak të agjendave të ngarkuara që kanë ministrat.

“Sa i përket komunikimit duhet pasur parasysh që një ministër ka një agjendë shumë të ngarkuar dhe sigurisht që mund të ketë edhe vonesa por në fund të fundit secili ministër është i obliguar që edhe ligjërisht t’u përgjigjet kërkesave që i merr”.

“Për dallim nga vitet e kaluara ku haptazi janë përkrahur komunat politikisht, tash nuk ndodh një gjë e tillë. Por, ka raste kur kërkesat që ne i paraqesim janë më të arsyeshme dhe trajtohen më shpejt”.

Marrja e të hyrave vetanake nga komunat ishte alarmi i ngritur nga Asociacioni i Komunave që kishte shqetësuar edhe kryetarët e komunave të cilët në këtë rast ishin “viktima”, pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim pa u dakorduar paraprakisht me vetë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore