Kosova

Të hënën seancë në Kuvendin e Kosovës – diskutohet për sigurimin e vaksinave anti-COVID


Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se të hënën do të mbahet seancë e re ku do të diskutohet për sigurimin e vaksinave anti-COVID.

Ai ka theksuar se kjo është bërë me kërkesë të PDK-së.

“Tashmë kemi një angazhim të BE-së dhe SHBA-së për sigurim të vaksinave, por nuk kemi angazhim nga institucionet. Numri i vdekjeve po rritet e numri i testimeve po bie. Besoj që ky debat që do të bëhet të hënën do t’i kontribuojë sa më shumë situatës. Të vdesin kaq shumë njerëz në ditë është jo normale”, ka thënë ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri theksoi se “kanë kërkuar që ministri i Shëndetësisë të raportojë në Komisionin për Shëndetësi”.

“Kërkojmë që një raportim i tillë të ndodh si përgatitje për debatin parlamentar”, ka thënë ai.

“Kërkesa jonë është që qeveria të merret me menaxhimin e pandemisë që lidhet me sigurimin e vaksinave. Dialogun duhet ta merr përsipër qeveria. Nuk kem çka bëjmë kompromise të tjera”, ka thënë ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, ka potencuar se procesi i dialogut ka filluar shumë që një kohë të gjatë, por duhet të vendoset në parime.

“Shpresoj që kjo legjislaturë dhe qeveri të fillojë me një ngritje të debatit e të dalin me qëndrime të përbashkëta e definitivisht njëra prej tyre është dialogu”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore