Shqipëria

Të hapur për Shqipërinë


Tirana

Kufijtë u hapën.

Një sërë shtetesh vendosën. Tanimë shqiptarët mund të shkelin lirisht në territoret e Spanjës, Gjermanisë dhe Greqisë dhe gjithë vendeve të Bashkimit Evropian.

Menaxhimi i pandemisë, vaksinimi në shifra të larta dhe rënia e numrit të të infektuarave me COVID-19 dhe vdekjeve nga virusi, ka bërë që Shqipëria të mos shihet më si zonë e kuqe.

Vazhdimisht, ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar për përmirësimin e gjendjes së pandemisë nga Covid-19 në Shqipëri, duke lehtësuar masat.

Ajo përshëndeti edhe vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e kufizimeve me Shqipërinë, duke e cilësuar si “lajm i mirë”.

Megjithatë, thotë vazhdimisht Manastirliu, nuk duhet humbur vigjilenca.

Të premten e 18 qershorit, Këshilli Evropian (KE), nën rekomandimin e BE-së, njoftoi për heqjen e kufizimeve të udhëtimit me Shqipërinë.

Pas vendimit të KE-së, çfarë ndodhi?

Gjatë dy ditëve intensiteti i zhvillimeve ka qenë i lartë për hapjen e kufijve. I pari shtet që njoftoi se do të hapë kufijtë më Shqipërinë ishte Gjermania.

Edhe pse nuk do të duhet më një dokument për arsyen e udhëtimit, ambasada gjermane bëri me dije se “për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është i domosdoshëm një test negativ i COVID ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin”.

Disa orë më vonë edhe shteti fqinj, Greqia, në një njoftim zyrtar, informoi se më 19 qershor do të lejohet të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare, ashtu dhe turistike.

Por edhe në këtë rast, qytetarët shqiptarë duhet të kenë me vete, formularin Plf, certifikatë vaksinimi, test PCR ose test i shpejtë, apo certifikatë e diagnozës pozitive të vlefshme për dy deri në nëntë muaj.

Deri më datë 28 qershor, mbeten në fuqi kuotat prej 1 mijë e 500 personave në ditë në Kakavijë, 250 në Qafë Botë dhe 400 në Kapshticë dhe më vonë pritet liberalizimi total i lëvizjes.

Pavarësisht se ky vendim prek vendet e Ballkanit Perëndimor, fjala e fundit u takon vendeve pritëse, nëse i lejojnë këta udhëtarë të kalojnë apo jo.

Para vendimit të KE-së

Ishte Spanja, që deklaroi se për të gjitha vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), do t’u lejohet hyrja në këtë shtet duke filluar nga data 7 qershor.

Por për të gjithë udhëtarët që do të duan të shkelin kufirin spanjoll duhet që më parë t’i jenë nënshtruar procesit të vaksinimit. Vendimi vlen edhe për Shqipërinë.

Gjendja e Covid në Shqipëri

Muajin e fundit, Shqipëria, ka parë ulje të ndjeshme të numrit të rasteve pozitive me COVID-19.

Gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë humbje jete.

Mbi 250 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 900 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore