Lajme

“Të gjithë ushtarët e lirisë ishin mirë”


Bedri Hamza në Hagë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, ka lajmëruar se të premten ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në Hagë.

Përveç Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, Hamza ka rritur të takohet edhe me ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Guncati.

“Të gjithë ushtarët e lirisë ishin mirë”, ka shkruar Hamza pas takimit me ish-krerët e UÇK-së.

Sipas tij vizita në Hagë më saktësisht në qendrën e paraburgimit ku ish-krerët e UÇK-së po mbahen ka qenë një ndër vizitat më emocionale të jetës së tij.

“Lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër andaj kurrë më krenarë se sot nuk i pashë edhe në këtë betejë të tyre. Me besimin e pa thyer që shumë shpejt do të jenë pranë nesh, të lirë siç u takon, u çmallëm e folëm gjerë e gjatë për Kosovën që aq shumë e duan. Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të mundet kurrë askush t’i vë damkë”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore