Përballje

Të enjten u mësuan katër ekipet gjysmëfinaliste në Ligën e Evropës


Të enjten mbrëma u zhvilluan ndeshjet e kthimit në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Evropës.

Arsenal, Manchester United, Roma dhe Villareal arritën që të kualifikohen në katërshen më të mirë të Europa Leauge në këtë sezon.

Pas barazimit 1:1 një javë më parë në “Emirates Stadium”, Arsenali nuk e vuri për asnjë moment në dyshim kalimin në gjysmëfinale, duke e deklasuar Slavia e Pragën në stadiumin e tyre me rezultat 0:4.

“Topçinjtë” e nisën vrullshëm takimin dhe arritën të shënojnë tre herë brenda gjashtë minutave, me Pepe në minutën e 18-të, Lacazette në të 21-ën nga penalltia dhe më pas Saka tre minuta më vonë, ndërsa në minutën e 77-të, Lacazette shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në “Old Traford”, nuk pati surpriza nga Manchester United, të cilët triumfuan ndaj spanjollëve të Granadas me rezultat 2:0, duke u kualifikuar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4:0, pasi që edhe një javë më parë fituan në Spanjë me rezultat identik.

“Djajtë e kuq” zhbllokuan rezultatin qysh në fillim të ndeshjes, ku në minutën e gjashtë, Edindon Cavani shënoi gol, pas asistimit të Paul Pogba.

Gola nuk pati deri në minutën e fundit të takimit, ku futbollisti i Granadës, Vallejo devijoi topin në mënyrë të pafat në portën e tij, për rezultatin përfundimtar 2:0.

Në ndeshjen tjetër Roma arriti që të mbetej skuadra e vetme italiane që merr pjesë në Evropë në këtë edicion.

Pasi fituan ndeshjen e parë me shumë fat në Amsterdam me rezultat 1:2, kryeqytetasit e Italisë arritën që të ruajnë rezultatin dhe të kualifikohen tutje në gjysmëfinalen e kësaj gare.

Ndeshja nisi më mirë për Ajaxin, të cilët e dominuan në përgjithësi lojën, dhe në minutën e 49-të, futbollisti i tyre, Brobbey shënoi golin e avantazhit 0:1.

Madje ata dyfishuan epërsinë vetëm pas shtatë minutave, por ishte VAR i cili ndërhyri, për të anuluar golin pasi kishte një ndërhyrje të palejuar pak momente më parë.

Pikërisht kur holandezët po kalonin momentet më të mirë të tyre, në minutën e 72-të, futbollisti i Romës, Edin Dzeko shënoi golin e barazimit pas një asistimi pak sa me fat nga shoku i tij Calafiori.

Loja u bë edhe më interesante në minutat e fundi, me dy skuadrat që patën mundësi të mira shënimi, por nuk ia dolën t’i shfrytëzojnë rastet, dhe në fund pas rezultatit 1:1, Roma arriti të kualifikohet tutje.

Në ndeshjen tjetër, Villareali shënoi fitore me rezultat 2:1 ndaj Dinamo Zagrebit, duke u kualifikuar tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:1, pasi që kishte triumfuar 0:1 në ndeshjen e parë në Kroaci.

Spanjollët zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë, pasi shënuan me Paco Alcacer në minutën e 36-të dhe me Gerard Morenon në të 43-ën, ndërsa 15 minuta para fundit të ndeshjes, Dinamo gjeti golin e nderit me anë të Orsic.

Në gjysmëfinale Manchester United do të takohet me Romën, ndërsa Villareal pret në shtëpi në ndeshjen e parë Arsenalin.

Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen më 29 prill, ndërsa ato të kthimit, një javë më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore