Lajme

Të enjten pritet të nis intervistimi i kandidatëve për bord të RTK-së


Ilustrim, Komisioni Ad-hoc

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së, ka njoftuar se intervistimi i kandidatëve pritet që të fillojë të enjten e 11 nëntorit.

“Nëse nuk ka seancë kuvendi, intervistimi do të fillojë më 11 nëntor, të enjten nga ora 9:00 deri në 16:00, por në rast se ka seancë plenare atëherë intervistimi do të fillojë të premten”, ka njoftuar kryesuesi i këtij Komisioni, Armend Zemaj.

Armend Zemaj, kryetar i komisionit Ad-hoc

Thirrja për aplikim për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar në bordin e Radiotelevizionit të Kosovës u hap në korrik të këtij viti.

Bordi i RTK-së u shkarkua më tetë korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës. Por, shkarkimi i këtij bordi ngjalli shumë reagime.

Opozita kundërshtoi ndërsa deputetët e pozitës dhanë arsyet e shkarkimit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Daorsa Kica, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka përmendur arsyet, sipas saj, pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së.

Ajo pati thënë se shkarkimi i këtij Bordi është i bazuar në Ligjin për RTK-në, duke cituar një nen të këtij Ligji.

“Pra, anëtari i Bordit mund të shkarkohet, ndër të tjera, nga një iniciativë tjetër jashtë formatit të Bordit të RTK-së, dhe legjitimohet nga vota e shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në rastin konkret, iniciativa është marrë nga dy komisione parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thoshte Kica.

Komisioni ad-hoc për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës kanë eliminuar nga gara rreth 30 kandidatë nga 127 sa kishin aplikuar për shkak se të njëjtit nuk i kanë plotësuar kriteret e aplikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore