Lajme

Të dielën protestojnë edhe serbët në Veri, por kundër Vuçiç-it


Mitrovica e Veriut

Krahas një proteste që është thirrur nga Lista Serbe në Shtërpcë, ku u plagosën dy të rinj serbë, për të dielën është ftuar edhe një protestë tjetër në Mitrovicë të Veriut nga “Komiteti i Partisë Popullore opozitare”.

Kjo parti ka ftuar qytetarët në një tubim protestues për shkak të qëndrimit të autoriteteve në Beograd ndaj serbëve në Kosovë.

“Ne serbët, që e kemi plotësisht të qartë atë që po ndodh, që pasojat e hipokrizisë dhe shitjes së interesave serbe i kemi ndjerë në lëkurën tonë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të imitojmë edhe më shumë guximin e serbëve që këmbëngulin në luftën për mbijetesën e jetës në Kosovë dhe të thërrasim në emër të tyre në një tubim protestues kundër regjimit të dielën më 8 janar në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Komiteti krahinor i partisë së Vuk Jeremiç-it thekson se “serbët gjatë historisë kanë pasur shumë shembuj të ndritshëm, në formën e heronjve trima dhe heronjve të nderuar”, dhe se sot ata janë “djem të rinj dhe trima” si dy të rinjtë që u plagosën në Shtërpcë.

“Plumbi, i cili goditi një fëmijë 11-vjeçar, duhej të zgjonte të gjithë serbët, veçanërisht pushtetarët tanë, gjeneralët tanë, komandantët tanë të përgjithshëm, madje edhe personalitetet e kishës. Por për fat të keq nuk ka ndodhur”, thonë ata.

“Për shkak se projekti i shpërnguljes së serbëve ka arritur në një fazë ku askush nuk e di më se cili është minimumi i normalitetit dhe arsyeshmërisë, as nuk i lejohet të bëjë diçka që nuk është pjesë e një skenari tashmë të përgatitur”, thuhet në deklarimin e tyre.

Ata kanë pasur ankesa edhe lidhur me përgjigjen e djeshme të misionit të KFOR-it ndaj kërkesës së Serbisë për kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në Kosovë, detajet e së cilës ende nuk janë bërë të qarta.

Plagosja e 2 të rinjve serbë, në Shtërpcë paralajmërohet protestë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore