Lajme

Të dhënat e 533 milionë përdoruesve të Facebook-ut rishfaqen falas në internet


Të dhënat personale të më shumë se gjysmë miliardi përdoruesve të Facebook-ut u rishfaqën pa pagesë në internet. Kjo ngjarje e të shtunës së 3 prillit qe një rikujtesë e aftësisë së kompanisë për të mbledhur informacione. Sakaq, sjell në vëmendje dhe betejat e saj për të mbrojtur këto pasuri “të ndjeshme”.

Rrjedhja përmbante informacione personale të 533 milionë përdoruesve të Facebook-ut, të tillë si numrat e telefonit, ID-të e Facebook, emrat e plotë, vendndodhjet, datat e lindjes, bio-t dhe në disa raste adresat e postës elektronike, njoftoi Business Insider.

“Këto janë të dhëna të vjetra që u raportuan më parë në 2019,” shkroi një zëdhënës i Facebook-ut, në një deklaratë me e-mail. “Ne e kapëm në kohë dhe e rregulluam këtë problematikë në gusht  2019.”

Asokohe, kompania adresoi një defekt teknologjik, që lejonte daljen e informacionit. Sidoqoftë, sapo ruhen të dhënat e tilla nga rrjeti i Facebook-ut, kompania ka fuqi të kufizuar për të ndaluar përhapjet e tyre në internet.

Alon Gal, shefi i teknologjisë së firmës së inteligjencës për krimin kibernetik Hudson Rock, zbardhi sërish të dhënat të shtunën e 3 prillit.

Rrjedhjet e të dhënave kërcënojnë të minojnë modelin e biznesit të Facebook-ut për të mbledhur një sasi të madhe të dhënash personale. Kjo, duke e përdorur më pas për të shitur reklamat e synuara.

Informacioni është në dispozicion pa pagesë në një forum “hacker-imi”, duke e bërë atë të arritshëm gjerësisht nga kushdo me aftësi të të dhënave rudimentare, tha “Business Insider”.

Publikimi verifikoi disa rekorde duke përputhur numrat e telefonit të njohur të përdoruesve të Facebook-ut me ID-të e listuara. Sakaq, konfirmoi të dhënat e tjera, duke testuar adresat e postës elektronike nga grupi i të dhënave në funksionin e rivendosjes së fjalëkalimit të Facebook, të cilat mund të përdoren për të zbuluar pjesërisht numrin e telefonit të një përdoruesi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore