Aplikacione

Të ardhurat nga reklamat e TikTok-ut do të tejkalojnë ato të Twitter-it


Të ardhurat nga reklamat e aplikacionit TikTok ka të ngjarë të trefishohen në vitin 2022 në më shumë se 11 miliardë dollarë.

Rritja pritet të tejkalojë shitjet e kombinuara të rivalëve si Twitter-i dhe Snap-i, sipas firmës kërkimore Insider Intelligence.

Në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, TikTok-u është një nga aplikacionet më të njohura të mediave sociale në botë, me më shumë se një miliard përdorues aktivë.

“Baza e përdoruesve të TikTok-ut ka shpërthyer në dy vitet e fundit dhe sasia e kohës që përdoruesit shpenzojnë në aplikacion është e jashtëzakonshme”, ka thënë analistja Debra Aho Williamson.

Kurse Twitter-i dhe Snapchat-i pritet të gjenerojnë përkatësisht 5.58 miliardë dhe 4.86 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat për vitin 2022.

Edhe me vlerën e kombinuar, janë ende më pak se 11 miliardë dollarët e parashikuar për TikTok-un.

Nga ana tjetër, afro gjashtë miliardë dollarë, ose më shumë se gjysma, e të ardhurave të këtij viti nga reklamat pritet të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo, pavarësisht shqetësimeve rregullatore, mbi të dhënat e përdoruesve nga SHBA-të që i kalojnë Kinës.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore